KORREKT / SOT22 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Aksioni i policisë në veri: Sekuestrohen mbi 22 automjete dhe mallra mbi 200 mijë euro

Aksioni i policisë në veri: Sekuestrohen mbi 22 automjete dhe mallra mbi 200 mijë euro

Mbi 22 automjete dhe mallra me vlerë doganore mbi 200 mijë euro janë sekuestruar gjatë aksioneve të zhvilluara në veri të Kosovës, në kuadër të një hetimi disamujor për dyshimet për kontrabandë të mallrave nga Serbia.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se aksionet janë realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Doganën e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Sipas Prokurorisë, hetimet kanë nisur në prill të këtij viti, ndërsa nga maji deri në shtator janë zhvilluar mbi 20 aksione në zonat kufitare dhe në komunat e Zubin Potokut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut.

Gjatë hetimeve janë identifikuar rrugët ilegale përmes të cilave dyshohet se mallrat futeshin nga Serbia në Kosovë, si dhe objektet ku ato shkarkoheshin, depozitoheshin dhe më pas shpërndaheshin në treg.

Prokuroria ka bërë të ditur se automjetet e përdorura për këtë veprimtari, në shumicën e rasteve, ishin të modifikuara për kontrabandë, pasi u ishin hequr ulëset e pasme. Sipas njoftimit, vozitësit, kur vërenin praninë e zyrtarëve policorë, i braktisnin automjetet dhe largoheshin.

Mallra ushqimore, barna dhe cigare pa banderola

Gjatë aksioneve janë sekuestruar kamionë, furgonë, xhipa dhe vetura, si dhe mallra të ndryshme, përfshirë produkte ushqimore, pije alkoolike dhe joalkoolike, pije energjike, cigare, barna pa banderola, produkte higjienike dhe tekstil.

Në mesin e mallrave të sekuestruara janë edhe veshje me marka të mbrojtura tregtare, për të cilat, sipas Prokurorisë, nuk kishte autorizim apo licencë përkatëse.

Në njërin nga rastet janë gjetur edhe 504 shpezë të gjalla, pa origjinë dhe pa certifikatë shëndetësore. Me vendim të inspektorit veterinar, ato janë asgjësuar për shkak të rrezikut për shëndetin e njerëzve.

Prokuroria ka vlerësuar se futja e këtyre mallrave në treg pa kontrollet përkatëse paraqet rrezik për qytetarët.

“Për këto mallra nuk dihet origjina, mënyra e ruajtjes dhe e transportit, as afati i përdorimit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas institucionit, kjo veprimtari e dyshuar, përveç rrezikut për shëndetin publik, dëmton edhe buxhetin e shtetit dhe bizneset që veprojnë në përputhje me ligjin.

Hetimet drejt përfundimit

Rasti po hetohet për veprat penale “Kontrabandimi i mallrave”, nga neni 311, dhe “Tregtia e ndaluar”, nga neni 299 i Kodit Penal të Kosovës.

Prokuroria ka bërë të ditur se personat e dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari janë identifikuar, ndërsa procedura penale ndaj tyre është në vazhdim.

“Hetimet janë në fazën përfundimtare”, thuhet në njoftim, ku bëhet e ditur se Prokurori i Shtetit do të marrë vendimet përkatëse brenda afateve ligjore, pas vlerësimit të të gjitha provave të siguruara.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.