Rusia është “në parim e gatshme” të rifillojë bisedimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ukrainën për përfundimin e luftës, ka deklaruar këshilltari i presidentit rus, Vladimir Putin, Yuri Ushakov.
Deklarata e tij vjen pas takimit të Putinit me të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff, në Shën Petersburg të Rusisë, raporton BBC.
Ushakov ka thënë se një raund i ri i bisedimeve trepalëshe mund të mbahet muajin e ardhshëm, duke përmendur si datë të mundshme rreth 10 nëntorin.
Ai theksoi se bisedimet duhet të përqendrohen në “ndërtimin e një sistemi sigurie për Rusinë dhe Ukrainën pas përfundimit të konfliktit”.
Ukraina i ka bërë thirrje Moskës që të rifillojë menjëherë bisedimet trepalëshe, të cilat u pezulluan në shkurt. Ndërkohë, Ushakov tha se idetë e paraqitura nga Witkoff pas takimeve të tij me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe udhëheqësit e Norvegjisë e Finlandës, nuk ishin shumë të dobishme.
Zyrtarë të lartë nga Rusia, Ukraina dhe SHBA-ja kanë zhvilluar disa raunde bisedimesh me synimin për t’i dhënë fund luftës, e cila nisi në shkurt të vitit 2022, kur Rusia filloi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.
Bisedimet u pezulluan, ndërsa Kremlini fajësoi sulmet ukrainase të muajit të kaluar ndaj objektivave në Rusi, të cilat i cilësoi si masive, për ndërprerjen e tyre.

