KORREKT / SOT20 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Moti

Pesë mënyra se si “El Nino” ndikon në motin në mbarë botën

Pesë mënyra se si “El Nino” ndikon në motin në mbarë botën

El Nino është duke u forcuar prej disa muajsh tashmë dhe po ushtron një ndikim të konsiderueshëm në modelet globale të motit.

Vende si Indonezia, India dhe Shtetet e Bashkuara po përballen me periudha thatësire, përmbytje dhe valë të nxehti, në përputhje me parashikimet se si ky fenomen do t'i intensifikojë dukuritë ekstreme të motit.

Organizata Botërore Meteorologjike bën të ditur se ky fenomen El Nino, që po shënon rekorde, do të forcohet më tej dhe do të vazhdojë të paktën deri në vitin 2027.

Ja pesë mënyra se si ndikimi i tij po ndihet tashmë në mbarë botën.

Disa rajone në botë po përjetojnë tashmë pasojat e pritshme të El Nino-s.

Indonezia po përballet me sezonin më të rëndë të zjarreve pyjore që nga viti 2015

Indonezia, e cila gjatë viteve të El Ninos priret të ketë kushte më të thata dhe më të nxehta, po përballet me sezonin më të rëndë të zjarreve pyjore që nga viti 2015.

Këtë vit, që nga janari, janë djegur të paktën 895,657 hektarë tokë – një sipërfaqe gati gjashtë herë më e madhe se ajo e Londrës së Madhe.

Kjo është më shumë se dyfishi i sipërfaqes së djegur vitin e kaluar, kur nuk kishte ndikim nga El Nino.

Zjarret pyjore kanë çuar në mbylljen e shkollave dhe në një rritje të numrit të personave të shtruar në spitale në të gjithë Indonezinë.

Miliona njerëz në Sumatra dhe Kalimantan janë ekspozuar ndaj tymit toksik të zjarreve, ndërsa rreth 175,000 persona kanë shfaqur probleme të frymëmarrjes.

Më shumë se 40,000 raste – që variojnë nga kolla e thjeshtë te bronkiti dhe gjendje më të rënda si pneumonia – prekin fëmijët e vegjël.

Paqësori Lindor përjeton një aktivitet të shtuar uraganesh

Në Paqësorin lindor, ku El Nino tenton të forcojë aktivitetin e uraganeve, sezoni ka qenë tejet aktiv deri më tani.

Janë regjistruar 22 stuhia me emër dhe 12 uragane, përfshirë 10 uragane të fuqishme.

Kjo shifër e tejkalon tashmë numrin e zakonshëm të stuhive që zhvillohen gjatë një sezoni mesatar, ndërkohë që kanë mbetur ende dy muaj deri në përfundim të tij.

Në këtë rast, El Nino krijon kushtet e duhura – temperatura më të larta të oqeanit dhe erëra më të dobëta në lartësitë e atmosferës – duke u mundësuar stuhive të fitojnë më lehtë forcë.

Uragani Polo është një shembull i kësaj dukurie. Uragani pësoi një intensifikim të shpejtë, duke gjeneruar erëra me shpejtësi deri në 180 milje në orë (285 km/orë), të ushqyera nga ujërat shumë të ngrohta si pasojë e fenomenit "El Nino".

Polo ishte gjithashtu një nga tre uraganet që po zhvilloheshin në të njëjtin basen në të njëjtën kohë, së bashku me Odalys dhe Nolo.

Për më tepër, kjo ka ndodhur tashmë dy herë brenda një muaji.

Më herët në shtator, energjia e krijuar nga nxehtësia e jashtëzakonshme e oqeanit çoi në shfaqjen e tre uraganeve njëkohësisht në Paqësorin qendror dhe lindor: Lowell, Karina dhe Marie.

Deri në këtë vit, hera e fundit që janë regjistruar tre uragane në Paqësor në të njëjtën kohë ishte viti 2015.

Sezoni i uraganeve në Atlantik mbetet jashtëzakonisht i qetë

Në të kundërt, Oqeani Atlantik ka mbetur në një qetësi të pazakontë.

"El Nino" ka tendencën të rrisë "prerjen e erës" (wind shear) në Atlantikun verior, një faktor që shpërbën stuhitë dhe kufizon formimin e tyre.

Është regjistruar vetëm një uragan – Isaias – i cili preku tokën në zonën "Florida Panhandle" dhe në Alabama.

Ky ishte uragani që është formuar më vonë se çdo tjetër i regjistruar gjatë epokës së satelitëve (nga vitet 1960 e këtej).

Para këtij viti, rekordi mbahej nga data 11 shtator, i vendosur në vitet 2002 dhe 2013.

Në një sezon mesatar, deri në këtë periudhë do të kishte pasur 10 stuhi të emërtuara, pesë uragane dhe dy uragane të fuqishme.

Megjithatë, këtë vit janë regjistruar vetëm tetë stuhi tropikale: Arthur, Bertha, Cristobal, Dolly, Edouard, Fay, Gonzalo dhe Hanna.

Pakësimi i reshjeve të musoneve kërcënon bujqësinë në Indi

Kushtet më të thata dhe më të ngrohta kanë prekur edhe Indinë, ku reshjet thelbësore të musoneve kanë qenë 13% nën mesataren.

Edhe pse Departamenti Meteorologjik i Indisë (IMD) e konsideron këtë ende brenda kufijve "normalë", mesatarja e përgjithshme nuk pasqyron variacionet e reshjeve nëpër rajone të ndryshme të Indisë, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa India Qendrore pati sasi reshjesh afërsisht sa pritej, në rajonet lindore dhe verilindore reshjet ishin rreth 26% nën mesataren, duke shkaktuar një thatësirë ​​"të jashtëzakonshme". Në shtetet jugore të Indisë, reshjet ishin 24% nën mesataren. Edhe aty ku sasia e reshjeve ishte afër mesatares, shiu nuk ra vazhdimisht siç ndodh zakonisht gjatë musonit; përkundrazi, pati një alternim mes periudhave të gjata të thata dhe reshjeve ekstreme.

Kjo shton presionin dhe cenueshmërinë ndaj prodhimeve bujqësore.

India ndikohet nga një sërë modelesh të ndryshme të motit që mund të ndikojnë në sezonin e musonit, ndaj shkencëtarët sugjerojnë se "El Nino" mund të mos ketë qenë faktori i vetëm.

Tajfune të fuqishme godasin Kinën lindore dhe Japoninë

Më në perëndim, në Oqeanin Paqësor, është regjistruar gjithashtu një sezon aktiv në Kinën lindore dhe Japoni, ku stuhitë, përfshirë "Maysak" dhe "Dujuan", kanë shkaktuar së fundmi përmbytje të përhapura dhe rrëshqitje dheu.

Sipas Agjencisë Meteorologjike Japoneze, në Paqësorin perëndimor janë formuar 10 ciklone tropikale – numri më i lartë në një sezon që nga viti 1966.

Gjatë fenomenit "El Nino", ujërat më të ngrohta të Paqësorit sjellin ndryshime në modelet e erërave; kjo bën që ciklonet të formohen më në lindje, larg Japonisë dhe Kinës lindore.

Megjithatë, kjo nënkupton një distancë më të madhe dhe më shumë kohë gjatë së cilës stuhitë mund të ushqehen nga ujërat e ngrohta, duke grumbulluar energji për t'u shndërruar në tajfune më të fuqishme përpara se të godasin tokën.

Shkencëtarët besojnë se këtë vit ka gjasa të formohen tajfunë të tjerë, të cilët mund të kenë ndikime të mëtejshme në Japoni ose në Kinën lindore.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.