Banorët e provincës kanadeze të Albertës kanë votuar për të mbetur pjesë e Kanadasë, në referendumin e parë të mbajtur ndonjëherë në këtë provincë për çështjen e ndarjes.
Rezultati përbën një fitore të rëndësishme për kryeministrin Mark Carney, i cili po përpiqet të ruajë unitetin e vendit në mes të luftës tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Transmetuesi publik kanadez CBC News e shpalli rezultatin të hënën në mbrëmje, kur ishin numëruar 33 për qind e votave.
Sipas rezultateve të deriatëhershme, 76 për qind e votuesve mbështetën qëndrimin në Kanada, ndërsa 23 për qind votuan pro hapjes së rrugës për një referendum detyrues për shkëputjen e provincës.
Referendumi nuk kishte karakter detyrues.
“Banorët e Albertës bënë një zgjedhje të qartë. Ata zgjodhën unitetin, ndërtimin e së ardhmes së bashku dhe kujdesin për njëri-tjetrin”, deklaroi kryeministri kanadez, Mark Carney.
“Kanadaja është më e madhe se shuma e pjesëve të saj”, shtoi ai.
Mundësia e fitores së separatistëve ishte vlerësuar si e vogël nga anketuesit dhe analistët, të cilët iu referuan të dhënave që tregonin se rreth një e treta e banorëve të provincës perëndimore mbështesnin mbajtjen e një referendumi për shkëputjen nga Kanadaja.
Kryeministrja e Albertës, Danielle Smith, e kishte njoftuar mbajtjen e referendumit në maj, duke deklaruar se ishte “koha për të votuar, për të kuptuar vullnetin e banorëve të Albertës për këtë çështje dhe për të ecur përpara”, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv
Të hënën në mbrëmje, Smith deklaroi në rrjetet sociale se ishte “shumë e kënaqur” me rezultatet e para, të cilat tregonin mbështetje të gjerë për qëndrimin e Albertës në përbërje të Kanadasë.
Ajo bëri të ditur se sot do t’u drejtohej banorëve për të diskutuar rezultatet dhe hapat e ardhshëm për provincën.
Një grup i vogël, por aktiv, separatistësh ka zhvilluar prej muajsh fushatë për pavarësinë e Albertës.
Mbështetësit e shkëputjes argumentojnë se pasuria energjetike e provincës përdoret për të subvencionuar rajonet më të varfra të Kanadasë dhe se Alberta do të ishte më e pasur nëse nuk do të pengohej nga burokracia e qeverisë federale në Otavë.

