Aksidentet në komunikacion mund të ndodhin në çdo moment, por mënyra se si veprojmë pas tyre është po aq e rëndësishme.
Për të lehtësuar procedurat dhe për të informuar qytetarët për hapat që duhet të ndërmarrin, Byroja kosovare e Sigurimeve po zhvillon një kampanjë ndërgjegjësuese për përdorimin e Raportit Evropian të aksidenteve, transmeton Klankosova.tv.
Kur përdoret ky raport, si plotësohet dhe cilat janë përparësitë e tij, në emisionin “Ora Shtatë” këto çështje i diskutuan drejtoresha e BKS-së, Krenare Pirana-Kiseri dhe Jeton Rexhepi, drejtor i divizionit për trafikun rrugor në Policinë e Kosovës.
Pirana-Kiseri bëri të ditur se ky raport është një formular që e dokumenton aksidentin, rrjedhimisht aksidentet me dëme të vogla materiale dhe ku nuk ka persona të lënduar apo edhe fatalitete.
“Është raport që i lehtëson shumë procedurat gjatë aksidenteve, dhe e lehtëson punën e Policisë së Kosovës”, u shpreh ajo në Klan Kosova.
Nga ana tjetër, Rexhepi bëri të ditur se ky raport është i obligueshëm për shoferët ta posedojnë me vete.
“Në të njëjtën kohë është e obligueshme edhe për kompanitë e sigurimit”, tha ai.

