Rreth 546 mijë shtetas nga vendet e Ballkanit Perëndimor janë të punësuar në Gjermani me sigurime shoqërore, ndërsa në mesin e tyre bëjnë pjesë edhe punëtorët nga Kosova.
Sipas të dhënave të Agjencisë Federale të Punësimit në Gjermani, numri i të punësuarve nga ky rajon është rritur për rreth 170 mijë gjatë pesë viteve të fundit.
Megjithatë, ky model i punësimit mund të pësojë ndryshime nga viti i ardhshëm. Qeveria gjermane synon që nga janari i vitit 2027 ta përgjysmojë kuotën vjetore për punëtorët nga Ballkani Perëndimor, nga 50 mijë në 25 mijë persona.
Agjencia Federale e Punësimit kundërshton këtë plan dhe kërkon që kuota aktuale të ruhet, me arsyetimin se kërkesa për punëtorë në Gjermani mbetet e lartë.
“Rregullorja për Ballkanin Perëndimor dëshmon integrimin e lartë në tregun e punës dhe kërkesën për fuqi punëtore”, ka deklaruar Vanessa Ahuja, anëtare e bordit të Agjencisë Federale të Punësimit për shërbimet dhe çështjet ndërkombëtare.
Sipas saj, kuota aktuale nuk ka qenë e mjaftueshme për të gjitha aplikimet as gjatë vitit 2025, ndërsa pritet të shterohet edhe gjatë vitit 2026, para përfundimit të vitit.
Ahuja ka paralajmëruar se përgjysmimi i kuotës mund ta dobësojë këtë model të migrimit dhe t’ua vështirësojë kompanive gjermane gjetjen e punëtorëve.
Punëtorët nga Ballkani Perëndimor në sektorët ku ka mungesë të fuqisë punëtore
Të dhënat e Agjencisë Federale të Punësimit tregojnë se 53 për qind e të punësuarve nga Ballkani Perëndimor, apo rreth 287 mijë persona, punojnë në pozita që kërkojnë së paku nivelin e një punëtori të kualifikuar, ndonëse rregullorja nuk kërkon domosdoshmërisht kualifikim formal.
Rreth 45 për qind e këtij grupi punojnë në profesione ku ka mungesë të fuqisë punëtore. Sektorët kryesorë janë ndërtimtaria, transporti dhe logjistika, gastronomia dhe kujdesi për persona.
Çfarë parasheh rregullorja për punëtorët nga Kosova?
Rregullorja për Ballkanin Perëndimor, e cila është në fuqi që nga viti 2016, u mundëson shtetasve të Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë të marrin vizë për punësim në Gjermani përmes procedurave të lehtësuara.
Ajo zbatohet për lloje të ndryshme të punësimit, përfshirë edhe pozitat që nuk kërkojnë kualifikim të veçantë profesional.
Miratimi i punësimit bëhet nga Agjencia Federale e Punësimit, ndërsa kuotat ndahen sipas muajve dhe shtetësive. Aplikimet mund të shqyrtohen për aq kohë sa nuk është shteruar kuota mujore për shtetësinë përkatëse.
Nëse plani i qeverisë gjermane zbatohet, nga janari i vitit 2027 do të ketë më pak vende të disponueshme për punëtorët nga të gjitha vendet e përfshira në këtë rregullore, përfshirë Kosovën./Reporteri.net

