Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka reaguar publikisht lidhur me protestat që po zhvillohen prej gjashtë ditësh në Tiranë dhe në qytete të tjera, duke dënuar aktet e dhunës, sulmet ndaj institucioneve dhe dëmtimin e pronës publike e private.
Përmes një deklaratë publike, ku ka shpërndarë edhe qëndrimin zyrtar të Komisionit Evropian, kryeparlamentari nënvizoi se aspiratat e të rinjve janë të legjitime, por mjetet e përdorura në rrugë duhet të mbeten paqësore.
Peleshi u shpreh se “të rinjtë janë e sotmja dhe e nesërmja e Shqipërisë. Ata kanë të drejtë të kërkojnë me zë të lartë më shumë të drejta, më shumë mundësi. Kanë të drejtë të ëndërrojnë një të ardhme të barabartë me moshatarët e BE-së”, ndërsa shtoi se “sulmet ndaj institucioneve, djegia dhe shkatërrimi i pronës nuk kanë të bëjnë as me studentët, as me të drejtën e tyre për të protestuar”.
Në vijim të mesazhit të tij, Kryetari i Kuvendit këmbënguli se rruga e vetme për adresimin e pakënaqësive shoqërore është komunikimi institucional dhe mirëkuptimi mes palëve, duke u bërë thirrje aktorëve politikë e qytetarëve për vetëpërmbajtje.
“Le të ulemi me njëri-tjetrin. Pa paragjykim, pa mllef. Çdo orë që kalon e bën më të vështirë dialogun. Mbase mund të mos bihet dakord, por duhet folur. Duhet dëgjuar”, deklaroi Peleshi.
Në përmbyllje të apelit të tij, kryeparlamentari kërkoi kapërcimin e tensioneve në interes të vendit, duke përfunduar me fjalët: “T’i japim dorën njëri-tjetrit sot! Jemi për një qëllim. Për Shqipërinë”.

