KORREKT / SOT18 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Situata në Tiranë: Lëndohen 10 policë, reagon drejtori i Përgjithshëm

Situata në Tiranë: Lëndohen 10 policë, reagon drejtori i Përgjithshëm

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar pas sulmit ndaj Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë, ku mbetën të plagosur 10 punonjës policie.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, Hita e cilësoi ngjarjen si një akt të rëndë dhune, duke theksuar se sulmet ndaj institucioneve dhe uniformave blu nuk mund të justifikohen në emër të protestës, transmeton Klankosova.tv.

Sipas deklaratës së kreut të Policisë së Shtetit, sulmi ndodhi në orët e mbrëmjes, kur grupe personash të maskuar përdorën bomba molotov, lëndë piroteknike, gurë dhe sende të forta kundër godinës së komisariatit dhe punonjësve që ndodheshin në shërbim.

Hita bëri të ditur se punonjësit e plagosur nuk kishin qenë të angazhuar në veprimet policore gjatë ditëve të mëparshme të protestave. Ai theksoi gjithashtu se sulmi krijoi rrezik serioz për jetën e efektivëve, si dhe për personat e shoqëruar që ndodheshin brenda ambienteve të komisariatit.

“Sulmi ndaj një komisariati policie nuk është protestë”, u shpreh Hita, duke nënvizuar se përdorimi i mjeteve të rrezikshme kundër punonjësve të Policisë përbën dhunë të rëndë dhe dënohet nga ligji.

Kreu i Policisë bëri të ditur se edhe gjatë ditës janë regjistruar sulme të tjera ndaj efektivëve, me gurë, lëndë piroteknike, sfera metalike dhe bomba molotov, duke shkaktuar plagosjen e disa punonjësve të tjerë.

Sipas tij, prej gjashtë ditësh punonjësit e Policisë së Shtetit po përballen me akte të përsëritura dhune, ndërsa vijojnë të përmbushin detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Skënder Hita deklaroi se strukturat e Policisë po punojnë për identifikimin e personave të përfshirë në sulme, dokumentimin e veprimeve të tyre dhe referimin e provave pranë organeve kompetente të drejtësisë.

Ai paralajmëroi se çdo person për të cilin provohet përgjegjësia penale do të përballet me pasojat e parashikuara nga ligji.

“Askush nuk mund ta përdorë të drejtën kushtetuese të protestës si mburojë për të ushtruar dhunë, për të sulmuar punonjësit e Policisë apo për të shkatërruar pronën publike dhe private”, theksoi Hita.

Megjithatë, drejtori i Përgjithshëm nënvizoi se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore mbetet e garantuar dhe se Policia e Shtetit ka detyrimin ta mbrojë atë.

Ai bëri të ditur se ka udhëzuar të gjitha strukturat policore të vijojnë detyrën me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri, duke respektuar ligjin, procedurat standarde dhe parimin e proporcionalitetit.

Hita u bëri thirrje personave të përfshirë në veprime të dhunshme që t'i ndërpresin ato, ndërsa qytetarëve që protestojnë në mënyrë paqësore u kërkoi të distancohen nga dhuna.

“Policia e Shtetit nuk është kundërshtare e qytetarëve. Ajo është në shërbim të tyre”, deklaroi kreu i Policisë, duke u uruar shërim të shpejtë efektivëve të plagosur dhe duke garantuar se Policia do të vijojë përmbushjen e misionit të saj brenda kufijve të ligjit.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.