Alba Pollozhani ka folur së fundmi për raportin me familjen dhe arsyet pse zgjedh ta mbajë jetën e saj private larg vëmendjes së publikut.
E ftuar në emisionin “Sol”, ajo ka treguar se që nga dita e parë kur nisi rrugëtimin në televizion, kishte bërë një marrëveshje me familjarët, duke vendosur kufij të qartë për atë që dëshiron të ndajë me publikun.
Sipas saj, familja nuk e kishte përkrahur plotësisht vendimin për t’u futur në këtë botë, pasi, siç shpjegoi, prindërit janë të vetëdijshëm për mënyrën se si funksionojnë sistemet televizive dhe për vështirësitë që mund të hasin njerëzit brenda tyre.
Foto: YouTube
“Që ditën e parë që i kam hyrë televizorit, unë kam bërë një pakt me familjen. Familja nuk e ka dashur këtë rrugëtim”, u shpreh Alba.
Ajo foli edhe për arsyen pse nuk dëshiron që momentet familjare të bëhen pjesë e përmbajtjes televizive apo të ekspozohen në rrjetet sociale.
Për Pollozhanin, familja përfaqëson një hapësirë tejet personale, të cilën dëshiron ta ruajë larg syve të publikut.
“Për mua familja është niveli i intimitetit më të lartë deri para Zotit. Dhe unë nuk dëshiroj që momentet e mia familjare të ekspozohen”, deklaroi ajo.
Megjithatë, Alba bëri të ditur se familjarët e kanë mbështetur kur ajo vendosi të bëhej pjesë e “Big Brother”, edhe pse pas daljes nga formati, sipas saj, reagimet e tyre ishin të ndryshme.
– YouTube www.youtube.com
“Më kanë mbështetur kur kam hyrë në Big Brother. Kur dola më janë lëshuar, se përse dole, nuk duhej të dilje”, tregoi ajo, duke zbuluar një prapaskenë nga raporti i saj me familjen gjatë kësaj eksperience.
Në fund, Pollozhani theksoi se nuk dëshiron ta shndërrojë jetën private në një mënyrë për të fituar vëmendje në televizion.
Ajo tha se nuk synon të luajë rolin e viktimës duke përdorur raportet familjare apo shoqërore, duke zgjedhur kështu të ndajë me publikun vetëm aq sa ndihet rehat. /Telegrafi/

