Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit janë shtrirë edhe pranë selisë qendrore të Partisë Demokratike, ku një grup pjesëmarrësish në protestë hynë brenda ambienteve të kësaj partie. Gjendja u tensionua pasi efektivët e policisë hodhën gaz lotsjellës në perimetrin pranë godinës së opozitës.
Pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli në një deklaratë për mediat ku dënoi veprimet e policisë dhe hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se pas incidenteve qëndronin skenarë të inskenuar.
Berisha deklaroi se përpjekjet për devijimin e protestës dështuan për shkak se shumica e pjesëmarrësve refuzuan të bëheshin pjesë e provokimeve.
“Ramës i dështoi skenari, puthadorët e tij në protestë nuk i ndoqi njeri, jagon e tij në lëvizje e braktisën masivisht”, u shpreh kreu i PD-së, duke pretenduar se brenda protestës u tentua të përhapej udhëzimi për të goditur selitë e partive politike.
Më tej, lideri i opozitës pretendoi se në selinë e partisë në pushtet ishin grumbulluar elementë të armatosur për të përballur protestuesit, por sipas tij, plani dështoi pasi “njerëzit e vërtetë të protestës, që janë shumica dërrmuese, nuk mund të manipuloheshin”.
Duke u ndalur te zhvillimet politike dhe e ardhmja e kësaj përplasjeje, Berisha përdori një gjuhë të ashpër ndaj kreut të qeverisë:
“Sot njeriu që po përpiqet të përzgjedhë vendin e azilit politik, po i them këtu para shqiptarëve se vendi i azilit do të jetë qelia e burgut për Edi Ramën.”
Në përmbyllje të fjalës së tij, Berisha këmbënguli se tentativat e përsëritura për të nxitur sulme ndaj selisë së PD-së ranë poshtë pasi protestuesit e distancuan veten nga çdo skenar destabilizimi./rtsh/

