Në Deçan është mbajtur Festa Tradicionale “Dita e Gështenjës”, një aktivitet që promovon vlerat kulturore, traditën dhe rëndësinë ekonomike të gështenjës për familjet e kësaj komune.
Në këtë festë morën pjesë kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përfaqësues institucionalë, artistë, piktorë, alpinistë dhe qytetarë të shumtë.
Programi festiv u shoqërua me aktivitete të ndryshme kulturore dhe artistike, përfshirë ekspozita të piktorëve, performanca të ansambleve me muzikë e valle tradicionale, si dhe aktivitete të alpinistëve në shtigjet malore të Deçanit.
Sipas Komunës së Deçanit, gështenja ndër breza ka qenë një burim i rëndësishëm i të ardhurave për shumë familje të kësaj zone, duke u shndërruar në simbol të punës, përkushtimit dhe trashëgimisë vendore.
Komuna ka falënderuar organizatorët, pjesëmarrësit dhe qytetarët që kontribuuan në realizimin e kësaj feste, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të përbashkët për ruajtjen dhe promovimin e traditës, kulturës dhe vlerave lokale.

