Dy punonjës të Policisë së Shtetit në Shqipëri janë pezulluar nga detyra pas publikimit të videove në rrjetet sociale, ku shfaqen duke tejkaluar kompetencat dhe parimin e proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në një protestë në Tiranë.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, vendimi për pezullimin e menjëhershëm të dy efektivëve është marrë me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Bëhet fjalë për inspektorët me inicialet E. P. dhe T. Ç., të cilët shërbenin në Patrullën e Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Nr. 3 në Tiranë.
Krahas pezullimit, Hita ka urdhëruar edhe nisjen e hetimit disiplinor ndaj dy punonjësve, të cilin do ta zhvillojë Drejtoria e Standardeve Profesionale.
Policia e Shtetit ka theksuar se nuk do të tolerojë asnjë rast dhune apo tejkalimi të detyrës nga punonjësit e saj.
“Përgjegjësia është individuale, por veprime të tilla cenojnë rëndë imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve”, thuhet në njoftim.

