Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve dhe mediave që të bazohen vetëm në informacione zyrtare dhe të konfirmuara nga institucioni, lidhur me raportimet e fundit për “arrestime të personave zyrtarë”.
Në një deklaratë, kjo zyrë ka bërë të ditur se raportimet dhe shkrimet e shpërndara gjatë ditëve të fundit kanë krijuar konfuzion në publik dhe pasiguri juridike.
“Për çështjet që ndërlidhen me punën dhe veprimet e Prokurorit të Shtetit, të bazoheni vetëm në informacione zyrtare dhe të konfirmuara nga vetë institucioni, si dhe të shmangni çdo informacion tjetër që nuk është zyrtar dhe i konfirmuar”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu, Kryeprokurori i Shtetit, thotë se ka siguruar qytetarët se çdo rast penal do të trajtohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ligjet në fuqi dhe standardet më të larta të drejtësisë.
“Kryeprokurori i Shtetit siguron qytetarët e vendit se do të kujdeset që institucioni i Prokurorit të Shtetit të trajtojë çdo rast penal në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet në fuqi dhe standardet më të larta të drejtësisë”.

