Protestuesit e arrestuar pas tubimit të 13 tetorit në Tiranë kanë dalë këtë të premte para Gjykatës, ku po shqyrtohen masat e sigurisë ndaj tyre.
Seanca ka nisur në orën 08:30 dhe po zhvillohet në grupe, për shkak të kufizimit të ambienteve. Gjyqtare e çështjes është Amarilda Sulaj.
Në ambientet e gjykatës janë parë edhe forca policore të pajisura me skafandër dhe maska gazi, të cilat janë vendosur në gatishmëri për çdo përshkallëzim të mundshëm të situatës. Deri më tani, situata paraqitet e qetë.
Sipas informacionit të deritanishëm, ndaj protestuesve janë caktuar masa të ndryshme sigurie. Gjashtë prej tyre janë lënë në arrest shtëpie, dhjetë të tjerë janë lënë me detyrim paraqitjeje, ndërsa për një person është caktuar masa e arrestit me burg.
Të arrestuarit u vunë në pranga pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së 13 tetorit në kryeqytetin shqiptar. Gjatë tubimit pati sulme ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Tiranës, dëmtime të bizneseve dhe bankomateve, djegie të koshave të mbeturinave, si dhe përplasje me Policinë, shkruan Euronews.al, transmeton Klankosova.tv.
Ndaj të arrestuarve rëndojnë tetë vepra penale, përfshirë “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Ndërkohë, në lidhje me ngjarjet e protestës, 49 persona të tjerë janë vënë nën hetim, ndërsa gjashtë punonjës policie kanë mbetur të lënduar.

