Nga: Adam LeBor / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Kafenetë dhe restorantet janë sërish plot, plazhet janë të mbushura me të rinj të rrezitur që luajnë volejboll. Por, dy vjet pas sulmit terrorist të 7 tetorit, nën sipërfaqe Izraeli mbetet i traumatizuar dhe i përçarë nga ndarjet e brendshme.
Lufta në Gazë ka nxitur një fushatë ndërkombëtare të veprimeve ligjore kundër shtetit hebraik. Megjithatë, me identitetin e tij të fortë komunitar dhe ndjenjën e qëndrueshme për qëllim kombëtar, Izraeli ka dëshmuar se është jashtëzakonisht i qëndrueshëm.
Fyerjet që vijnë nga Londra, Dublini dhe kryeqytetet evropiane shihen disi si një bezdi hipokrite nga qeveri të pafuqishme, të kapura nga lobet pro-Hamas dhe pa investime – ndërsa vazhdojnë të mbështeten shumë në ndarjen e inteligjencës nga Izraeli për kërcënimet terroriste. Ndërkohë, shteti hebraik po shndërrohet me shpejtësi në një fuqi rajonale. Ekonomia e tij po përjeton bum teksa investitorët e teknologjisë së lartë po dynden; universitetet e tij prodhojnë vazhdimisht kërkime shkencore dhe mjekësore që sjellin ndryshime rrënjësore; ndërsa, diplomacia e vendit po shtrihet gjithnjë e më larg nëpër botë, teksa po krijon aleanca të reja. Ja gjashtë gjëra për t’i pasur parasysh në vitin 2026.
Diplomacia
Izraeli, në Ditën e parë të Krishtlindjes, u bë vendi i parë që njohu Somalilendin si shtet sovran, duke forcuar kështu harkun e ndikimit rajonal që shtrihet nga shtetet e Gjirit Persik deri në Bririn e Afrikës.
Ndryshe nga fqinji i saj, Somalia, Somalilendi që njihet pak është demokraci e qëndrueshme dhe funksionale shumëpartiake – ndonëse e papërsosur. Vendimi u prit me gëzim në Hargeisa, në kryeqytet, dhe presidenti Abdirahman Mohamed Abdullahi tha se vendi planifikon t’i bashkohet Marrëveshjeve të Abrahamit.
Veprimi i Izraelit shkaktoi indinjatë të pritshme në Kombet e Bashkuara, të cilat thirrën një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit, ndonëse asnjë takim i tillë nuk u mbajt kur disa vende – përfshirë Britaninë – njohën Palestinën që nuk ekziston si shtet. Veprimi i Jerusalemit gjithashtu sinjalizon forcimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe aleatit të tij, Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kanë një prezencë të konsiderueshme në Somalilend dhe mbajnë një bazë ushtarake atje. Të dyja vendet e shohin Somalilendin si pikë strategjike për kontrollin e Gjirit Persik.
Investimet e huaja
Nvidia, kompania më e vlefshme në botë që prodhon çipa për inteligjencën artificiale [IA], po planifikon një mega-kampus të ri në Veri të Izraelit. Objekti pritet të strehojë më shumë se dhjetë mijë punonjës. Nvidia tashmë operon në shtatë qendra kërkimi dhe zhvillimi në Izrael dhe vendi është baza më e madhe e saj jashtë Shteteve të Bashkuara.
CEO i kompanisë, Jensen Huang, ka thënë: “Izraeli është shtëpia e disa prej teknologëve më të shkëlqyer në botë dhe është bërë shtëpia e dytë e Nvidia-s … Ky investim pasqyron përkushtimin tonë të thellë dhe të qëndrueshëm ndaj familjeve tona në Izrael dhe kontributit të tyre unik në epokën e IA-së”.
Gjeopolitika
Kazakistani iu bashkua Marrëveshjeve të Abrahamit (ndonëse të dy vendet kishin marrëdhënie diplomatike) në nëntor të vitit 2025. Ky vend me shumicë myslimane është i pari shtet jo-arab dhe post-sovjetik që u bashkua. Ky veprim sinjalizon bashkëpunim në fushat e energjisë, teknologjisë dhe mbrojtjes, si dhe përforcon korridorin IMEC (India, Lindja e Mesme, Evropa), që e pozicionon Izraelin si portë drejt Evropës. Pritet që Azerbajxhani dhe Uzbekistani t’i bashkohen gjatë vitit 2026 – duke krijuar kështu një rreth të shteteve të qëndrueshme myslimane, pro-perëndimore dhe të moderuara për të kundërpeshuar Iranin fqinj.
Ekonomia
Pavarësisht luftës në Gazë dhe sulmeve me raketa nga Irani, bursa e Tel-Avivit arriti rekorde të reja në vitin 2025. Indeksi referues TA-125 u rrit me 52 për qind dhe TA-90 me 46 për qind, krahasuar me 24 për qind për FTSE 100-shin, ndërsa volumi i tregtimit gjithashtu theu rekorde. Kompanitë e mbrojtjes, hapësirës, mjekësisë dhe teknologjisë ishin ndër më të suksesshmet. Sukseset ushtarake të Izraelit kundër Hezbollahut, Iranit dhe në Gazë gjithashtu rritën besimin e investitorëve, pavarësisht izolimit diplomatik për shkak të viktimave civile atje. Në dhjetor të vitit 2025, Izraeli nënshkroi marrëveshjen më të madhe të eksportit në historinë e vendit, duke u pajtuar për shitjen e gazit natyror me vlerë 35 miliardë dollarë – drejt Egjiptit.
Standardi i jetesës
Izraeli ka mungesë burimesh natyrore dhe të tokës së punueshme. Megjithatë, PBB-ja për frymë ka vijuar të rritet nga rreth 5,000 dollarë kur u themelua vendi në vitin 1948, në rreth 54,176 dollarë në vitin 2024 – pak më shumë se Britania me 53,246 dollarë, krahasuar me vetëm 3,338 dollarë në Egjiptin fqinj dhe 4,618 dollarë në Jordani.
Megjithatë, ekonomia në lulëzim e Izraelit nuk ka sjellë përfitime të barabarta, pasi të ardhurat ndryshojnë. Një e pesta e popullsisë jeton në varfëri, me përqindje të larta në komunitetet ultra-ortodokse dhe arabe. Çmimet e ushqimeve mbeten ndjeshëm të larta krahasuar me vendet e tjera perëndimore dhe të pastrehët janë tashmë një pamje e zakonshme.
Inovacioni
Me një popullsi prej vetëm 10 milionë banorësh, Izraeli ka tri universitete të përfshira në 100-shen më të mirë globale – sipas Renditjes Akademike të Universiteteve Botërore: Instituti “Weizmann” i Shkencës, Universiteti Hebraik i Jerusalemit dhe Instituti “Technion” i Teknologjisë.
Së bashku me përkushtimin e thellë ndaj Kërkimit dhe Zhvillimit nga kompanitë kryesore dhe ushtria, universitetet izraelite formojnë një ekosistem shumë të suksesshëm të shpikjeve dhe inovacionit.
Përparimet mjekësore në vitin 2025 përfshijnë një projekt të “ristrukturimit metabolik” në Universitetin Hebraik – që mund të fuqizojë qelizat T kundër kancerit, duke eliminuar kështu nevojën për imunoterapi toksike – si dhe një test të ri gjaku për rrezikun e leukemisë të zhvilluar në Institutin “Weizmann” i cili mund të zëvendësojë nevojën për biopsi invazive të palcës së kockave. /Telegrafi/