Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka njoftuar se kanë nisur punimet për rikonstruktimin e udhëkryqit te rruga “Nëna Terezë”, ku sipas tij, ndër vite kanë ndodhur aksidente të rënda dhe janë shfaqur vështirësi në qarkullimin e trafikut.
Përmes një postimi në Facebook, Peci ka bërë të ditur se projekti përfshin rikonstruktimin e tërësishëm të udhëkryqit, vendosjen e semaforëve dhe sinjalistikës përcjellëse rrugore.
Sipas tij, ndërhyrjet synojnë të lehtësojnë qarkullimin dhe të rrisin sigurinë për pjesëmarrësit në trafik.
“Me rregullimin e tij do të ketë qasje më të lehtë, siguri e lëvizje më të lirë”, ka shkruar Peci.
Ai ka theksuar se përmirësimi i infrastrukturës rrugore është pjesë e angazhimit të komunës për funksionalizimin e qytetit. /Telegrafi/

