Drejtoria e Shëndetësisë në Prishtinë, e udhëhequr nga Bujar Gashi, ka nisur realizimin e aktiviteteve të dezinfektimit, deratizimit dhe dezinsektimit (DDD) në objektet shëndetësore të kryeqytetit.
Sipas njoftimit të drejtorit Gashi, aktivitetet përfshijnë Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Qendrat e Mjekësisë Familjare (QMF) dhe Ambulancat e Mjekësisë Familjare (AMF).
Punimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synimin që të përfshihen të gjitha qendrat shëndetësore të kryeqytetit.
Sipas drejtorisë, këto aktivitete kanë për qëllim ruajtjen e kushteve të përshtatshme higjieno-sanitare në ambientet ku ofrohen shërbimet shëndetësore.
Drejtoria e Shëndetësisë u ka kërkuar qytetarëve mirëkuptim gjatë realizimit të punimeve, duke i falënderuar për durimin dhe bashkëpunimin. /Telegrafi/

