Gjatë mbledhjes së Komisionit për Buxhet për Projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave pati kritika nga opozita për mungesën e ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe mënyrën e procedimit të këtij projektligji.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, e konsideroi të paarsyeshme mbajtjen e mbledhjes pa praninë e përfaqësuesve të drejtpërdrejtë të Qeverisë.
“Derisa nuk kemi diskutim nga përfaqësues të drejtpërdrejtë të Qeverisë, nga ministri, atëherë e shoh të paarsyeshme me mbajtë rendin e ditës, është dashur të jetë prezent, por besoj kur të ftohet nga Komisioni përkatës është dashur t’i lë anash të gjitha takimet”, deklaroi Lushtaku, transmeton Klankosova.tv.
Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, tha se projektligji është i rëndësishëm dhe se miratimi i tij mundëson kursimin e së paku 55 milionë eurove nga buxheti i shtetit.
Ajo theksoi se projektligji kishte kaluar leximin e parë edhe në legjislaturën e kaluar, duke u bërë thirrje deputetëve që të lejojnë prezantimin e tij nga zëvendësministri dhe të vazhdojnë me procedurat për miratim.
Kritika pati edhe deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, e cila e cilësoi joserioze procedimin e një projektligji të rëndësishëm jashtë agjendës së paraparë të komisionit, pa praninë e ministrit.
Ajo kritikoi gjithashtu, siç u shpreh, shkeljet e përsëritura të Kushtetutës dhe paralajmëroi se procedimi i përshpejtuar i ligjeve mund të sjellë probleme të mëtejshme.
“Jam shumë e sigurt që kështu me ndodh, ligje shpejt e shpejt që vijnë në Kuvend, por prapë rruga shkon te Gjykata Kushtetuese dhe iu tregon që ju jeni shkelësit më të mëdhenj të Kushtetutës”, deklaroi deputetja.
Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit ka vendosur që Projektligji për parandalimin e pastrimit të parave të përfshihet në agjendën e seancës plenare të së enjtes, e cila pritet të nisë në orën 10:00./Klankosova.tv.

