Trashëgimia kulturore e Kosovës është pasuruar me 13 asete të reja, të cilat janë përfshirë në listën e mbrojtjes së përkohshme.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, e cila ka theksuar se asetet e reja përfshijnë lokalitete arkeologjike, kala, kulla, shtëpi historike, si dhe komplekse industriale e familjare.
Në mesin e aseteve të përfshira në listë janë kompleksi industrial i Tulltores në Prishtinë, Gjyteti i Gjyrgjedellit në Kaçanik, Kalaja e Dafinës në Rahovec dhe Kulla e Asllanit në Tërdec të Drenasit.
Listës i janë shtuar edhe shtëpia muze e Latif Berishës në Mitrovicën e Veriut, si dhe kompleksi i familjes Çollaku në Zym të Prizrenit.
Sipas Bogujevcit, këto asete dëshmojnë periudha të ndryshme historike dhe mënyra të jetesës në pjesë të ndryshme të Kosovës.
Ajo ka bërë të ditur se procesi i identifikimit dhe vlerësimit të aseteve me vlera historike e kulturore do të vazhdojë, me synimin që ato të përfshihen në mekanizmat përkatës të mbrojtjes. /Telegrafi/

