Onkologu Ilir Ismaili është i ftuari i radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilin kemi diskutuar për sëmundjen e kancerit, shëndetësinë në përgjithësi në vend dhe disa tema tjera.
Ai theksoi se në Maqedoninë e Veriut ka rritje të numrit të të prekurve me kancerin e gjirit. Onkologu Ismaili gjithashtu tha se Klinika Universitare e Shkupit është lidere në trajtimin e kancerit të gjirit.
“Në Maqedoni statistikisht për momentin kemi rreth 1000 raste të reja të karcinomit të gjirit. Statistika e fundit ishin rreth 7000 mijë pacientë për momentin kurohen në Klinikën e Onkologjisë dhe këto janë vetëm në gjëndrën e gjirit. Në përgjithësi edhe në botë ka rritje të lehtë të numrit të karcinomit të gjirit. Çdo e teta femër në botë është e prekur me kancerin e gjëndrës së gjirit”.
“Sa i përket trajtimit, Qendra Klinike Universitare në Shkup është lider për shumë procedura diagnostikuese dhe të trajtimit. Pas çdo diagnoze me karcinom të gjëndrës së gjirit duhet ta dijmë se qëndron një nënë, një motër, një vajzë, prandaj të gjithë duhet të kontribuojmë në vetëdijesimin e tyre. Duhet të ndikojmë që kontrollet mjekësore të na bëhen si protokolle normale të jetesës”, tha onkologu Ismaili.
Ai gjithashtu theksoi faktorët të cilët mund të ndikojnë në shfaqjen e kancerit të gjirit.
“Ekzzistojnë protokolle që duhet t’i bëjmë. Çdo person është mjek i trupit të vet. Do të sugjeroja që çdo femër të paktën një herë në muaj ta bëjë kontroll vetë trupin e saj ta prek. Gjithashtu bërja e ehos së rregullt. Nëse ka indikacione bëhet edhe mamografia”, tha Ismaili.
Ai gjithashtu theksoi se Maqedonia e Veriut është një hap më para se shtetet tjera ballkanike në aspektin e trajtimit të kancerit, si dhe u shpreh i mendimit se pacientët kanë të drejtë ta djinë për sëmundjen, por se kjo është pjesa më e vështirë për mjekët.
“Procesi është tepër i vështirë. Pas çdo diagnostikimi të kancerit ekziston një qenie njerëzore. Kur marrim të dhënat, aty pyesim se çfarë kanë përfunduar për ta ditur se me çfarë niveli intelektual të njeriut kemi të bëjmë. Gjithashtu mendoj se pacientët duhet ta dinë për sëmundjen. Tek ne ekziston mendimi se karcinomi është i barabartë me vdekjen, por kjo nuk ka aspak lidhje”, tha onkologu.
Sa i përket trajtimit, ai theksoi se kohën e fundit janë zbuluar shumë mjete efektive të cilët ndihmojnë në trajtimin e karcinomit.
“Jam që 22 vite në Qendrën Universitare, ndërsa 17 vite jam si specialist i onkologjisë dhe radioterapisë. Dallimi prej kur kam filluar dhe tani është si nata me ditën. Trajtimet në kohën e mëparshme ishte kimioterapia. Kimioterapia përdoret edhe sot, por përdoren edhe trajtime tjera të cilat kanë shumë efekt”, tha onkologu./Telegrafi/

