Brukseli është përfshirë nga protesta të mëdha dhe përleshje të dhunshme, ndërsa një grevë e përgjithshme kundër masave shtrënguese të qeverisë belge ka paralizuar transportin publik dhe trafikun ajror në vend.
Gjatë protestave të së premtes, grupe personash të maskuar dhe të veshur me të zeza u përleshën me policinë, duke hedhur gurë, shishe, tulla dhe mjete piroteknike në drejtim të forcave të rendit. Disa protestues ndezën zjarre dhe dëmtuan pronën publike.
Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmat. Sipas autoriteteve, 21 persona u ndaluan ose u arrestuan, përfshirë 13 të mitur.
Në marshimin në Bruksel morën pjesë rreth 30 mijë persona, përfshirë punëtorë, studentë dhe përfaqësues të sindikatave. Sipas policisë, marshimi fillimisht u zhvillua në mënyrë paqësore, por më pas situata u tensionua pranë Stacionit Qendror dhe në pjesë të tjera të kryeqytetit.
Greva ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në transportin publik dhe në trafikun ajror, ndërsa janë prekur edhe shkollat dhe çerdhet.
Protestuesit kundërshtojnë masat buxhetore të qeverisë, duke argumentuar se barra e uljes së deficitit shtetëror do të bjerë mbi punëtorët, pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta.
Kryeministri belg, Bart De Wever, ka mbrojtur masat e propozuara, duke argumentuar se ato janë të domosdoshme për të frenuar rritjen e borxhit publik dhe kostot e interesit.
Në protesta janë përfshirë edhe studentët, të cilët kundërshtojnë rritjen e kostove të arsimit, mbipopullimin e klasave dhe reformat që, sipas tyre, mund ta bëjnë arsimin e lartë më pak të qasshëm.
“Arsimi është e drejtë, jo privilegj”, ishte një nga mesazhet në pankartat e protestuesve.
Demonstratat në Belgjikë janë pjesë e një vale më të gjerë pakënaqësie në Evropë, ku qytetarët po protestojnë kundër politikave ekonomike, kostos së jetesës dhe problemeve në sektorin e arsimit e të strehimit. /Telegrafi/