Bullgaria nuk pranon ndryshime kushtetuese me zbatim të prolonguar dhe nuk rinegocion për kushtet e marrëveshjes së arritur në vitin 2022 me Maqedoninë. Këtë në parlamentin bullgar e ritheksoi ministrja e Jashtme Velisllava Petrova Çamova, një ditë pas takimit me homologun maqedonas Timço Mucunski në Sofje.
Petrova tha se kërkesat ndaj Shkupit mbeten të pandryshuara, respektimi i të drejtave të bullgarëve dhe ndryshmet kushtetuese për futjen e bullgarëve në Kushtetutë.
“A kemi arritur marrëveshje për ndryshime kushtetuese me zbatim të prolonguar? Përgjigja është “jo”. Ministria e Punëve të Jashtme qëndron pas marrëveshjes së vitit 2022 dhe kategorikisht hedhim poshtë mundësinë e çfarëdo anashkalimi, rinegociimi, dakordësie me vende të caktuara anëtare për çfarëdo lloj dakordësie që do të ndryshonin kushtet e marrëveshjes së arritur. Bullgaria nuk merr pjesë në rinegociimin e marrëveshjes me Shkupin. Nuk kemi nevojë për rinegociim dhe rimarrëveshje sepse ata janë të papranueshme për ne”, deklaroi Velisllava Petrova Çamova, Ministre e Jashtme e Bullgarisë.
Mucunski dhe Petrova u takuan një ditë më parë në Sofje. Në margjinat e Konferencës për Korridorin 8, u la hapësirë edhe për takimin dypalësh për kontestin mes dy vendeve. Ministri Timço Mucunski shkroi se takimi ishte konstruktiv dhe u zhvillua në një frymë pozitive, por qëndrimet e të dyja palëve mbeten dukshëm të largëta. Ai shtoi se “lidhur me integrimin evropian, ekziston një shkallë e lartë mosbesimi, e cila nga perspektiva jonë lidhet me parashikueshmërinë e procesit dhe përvojën e deritanishme me kërkesat dypalëshe”.
Takimi mori jehonë të madhe edhe në mediat më të mëdha bullgare. Edhe përskaj faktit që atmosferën e takimit e përshkruan si pozitive, mesazhi kryesor i BGNES, BNT dhe BTA është se nuk ka lëvizje nga qëndrimet e palëve dhe nga kushtet e Sofjes për integrimin evropian të Shkupit./Alsat/