Kujdesi për fëmijët dhe për të moshuarit janë dy nga arsyet kryesore që i mbajnë gratë jashtë tregut të punës në Kosovë, sipas Shpend Ahmetit, bashkëthemelues i Data4X dhe konsulent i menaxhimit.
Duke folur në “Përballje Podcast”, me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, ai ka thënë se pjesëmarrja e ulët e grave në punësim është një nga sfidat kryesore të identifikuara nga analizat e kompanisë.
“Një prej sfidave kryesore që ka dalë në bazë të analizave tona është pjesëmarrja e ulët e grave në tregun e punës. Dy arsyet kryesore kanë qenë kujdesi për të vegjëlit dhe për fëmijët, por edhe kujdesi për të moshuarit”, ka deklaruar ai, shkruan Telegrafi.
Sipas Ahmetit, përgjegjësitë për kujdesin ndaj anëtarëve të familjes ndikojnë në mundësinë e grave për t’u përfshirë në punësim, veçanërisht kur jetojnë në bashkësi familjare.
Për ta adresuar këtë pengesë, Ahmeti ka theksuar nevojën për ndërtimin e më shumë kopshteve në të gjithë Kosovën, si në zonat rurale, ashtu edhe në ato urbane.
“Nëse ndërtohen shumë më shumë kopshte anembanë Kosovës, si në vendet rurale edhe në vendet urbane, kjo do ta zbuste këtë sfidë”, ka thënë ai.
– YouTube www.youtube.com
Ahmeti ka veçuar edhe organizimin e mësimit gjithëditor si një mundësi për ta lehtësuar përfshirjen e grave në tregun e punës. Sipas tij, përveç numrit të shkollave, rëndësi ka edhe mënyra se si organizohet mësimi.
“Nuk është vetëm numri i shkollave, por edhe metodologjia. Nëse e vendosim mësimin gjithëditor nëpër shkolla, kjo do ta lehtësonte edhe më shumë”, ka theksuar Ahmeti. /Telegrafi/