Një 16-vjeçar kosovar është arrestuar nga Policia Kantonale e Cyrihut, pasi tentoi t’i shmangej një kontrolli policor me skuter në Dietikon të Zvicrës. Gjatë arratisjes, ai hodhi një çantë që përmbante afro 50 gramë hashash.
Ngjarja ndodhi të enjten në mbrëmje, pak para orës 21:30, kur një patrullë policore vërejti të riun duke përdorur telefonin celular gjatë drejtimit të skuterit në autostradën A1L.
Policia i kërkoi të ndalonte përmes sinjalizimit të automjetit zyrtar, por 16-vjeçari nuk iu bind urdhrit dhe vazhdoi lëvizjen në drejtim të Bernës.
Pavarësisht thirrjeve të përsëritura për të ndaluar, i riu vazhdoi arratisjen, duke shkelur disa rregulla të trafikut. Pak para daljes për në Dietikon, ai parakaloi nga e djathta një autobus turistik, duke përdorur korsinë e emergjencës, shkruan Blick, transmeton Telegrafi.
Më pas, gjatë daljes nga autostrada, ai humbi kontrollin mbi skuterin dhe u rrëzua. Megjithatë, vazhdoi të ikte në këmbë, por pas disa qindra metrash u kap dhe u arrestua nga një polic. Sipas Blick, 16-vjeçari nuk pësoi lëndime.
I riu po drejtonte skuter të vjedhur
Gjatë arratisjes, adoleshenti hodhi një çantë, në të cilën policia gjeti afro 50 gramë hashash.
Hetimet e mëtejshme zbuluan se skuteri ishte i vjedhur dhe se i riu nuk kishte lejen e nevojshme për ta drejtuar atë.
16-vjeçari kosovar, i cili jeton në kantonin e Aargaut, do të përballet me procedura pranë prokurorisë kompetente për të mitur për disa vepra të dyshuara./Telegrafi/