Shkolla në disa qytete të Serbisë kanë marrë sot raportime për bomba të vendosura në objektet e tyre, duke detyruar autoritetet të evakuojnë nxënësit dhe të ndërpresin procesin mësimor. Ekipet policore kanë nisur kontrollet në ndërtesa për të verifikuar kërcënimet dhe për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe stafit.
Në Leskovc, janë evakuuar nxënësit e pesë shkollave fillore dhe të një shkolle të mesme. Departamenti i Policisë në këtë qytet konfirmoi për portalin Jugmedia se kërcënimet, njësoj si në rastet e mëparshme, ishin dërguar përmes postës elektronike.
Ndër institucionet arsimore ku mësimi u ndërpre janë Shkolla e Muzikës në Leskovc dhe Shkolla Fillore “Svetozar Markoviq” në Vuçje. Autoritetet po kryejnë kontrolle për të përcaktuar nëse raportimet për pajisje shpërthyese kanë bazë, transmeton Telegrafi.
Që nga orët e mëngjesit, mesazhe kërcënuese janë pranuar edhe nga shumë shkolla fillore dhe të mesme në zonën e rrethit Juzhnobaçki. Sipas informacioneve të publikuara, mesazhet janë dërguar në adresat zyrtare elektronike të institucioneve arsimore, duke shkaktuar ndërprerjen e mësimit dhe aktivizimin e procedurave të sigurisë.
Mësimi është pezulluar gjithashtu në disa shkolla në Beograd. Ndërkohë, në Novi Sad është evakuuar Shkolla Fillore “Vuk Karagjiq”, pas marrjes së një kërcënimi të ngjashëm.
Deri më tani, nuk janë bërë të ditura hollësi për autorët e kërcënimeve apo nëse kontrollet policore kanë zbuluar ndonjë pajisje shpërthyese. Autoritetet po vijojnë verifikimet në objektet e prekura. /Telegrafi/