Prokuroria e kantonit Valais ka hapur procedura penale ndaj disa avokatëve dhe gazetarëve, në kuadër të hetimeve për zjarrin tragjik në Crans-Montana, pas dyshimeve për publikimin e informacioneve konfidenciale nga dosja hetimore.
Sipas mediumit zviceran Blick, vendimi vjen pasi gjatë muajve të fundit janë publikuar vazhdimisht dokumente dhe informacione nga hetimet për zjarrin që shpërtheu në lokalin “Le Constellation”, më 1 janar 2026.
Rrjedhja e të dhënave ka ngritur shqetësime te autoritetet, pasi publikimi i materialeve konfidenciale mund të ndikojë në dëshmitë e personave të përfshirë dhe të vështirësojë zbardhjen e plotë të ngjarjes, transmeton Telegrafi.
Avokatët dyshohen për shkelje të urdhrave të autoriteteve
Sipas raportimit të gazetës Le Temps, procedurat ndaj avokatëve dyshohet se lidhen me veprën penale të mosrespektimit të një urdhri zyrtar. Prokuroria kishte kërkuar shprehimisht nga palët e përfshira në procedurë që të ruanin konfidencialitetin e materialeve hetimore.
Për këtë shkelje mund të shqiptohet gjobë, nëse vërtetohet përgjegjësia penale e personave të përfshirë.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur numrin e saktë të procedurave të hapura.
Edhe gazetarët në fokus të hetimeve
Në kuadër të së njëjtës çështje, të paktën një gazetar është thirrur nga policia kriminale për t’u marrë në pyetje gjatë muajit tetor.
Sipas Le Temps, gazetari do të dëgjohet në cilësinë e një personi që mund të japë informacione për rastin, një status procedural që qëndron ndërmjet dëshmitarit dhe personit të dyshuar.
Publikimi i vazhdueshëm i materialeve nga dosja hetimore mund të ketë pasoja edhe për procedurën ndaj çiftit Jacques dhe Jessica Moretti, të lidhur me lokalin ku ndodhi zjarri. Nëse gjykata konstaton se të akuzuarit janë paragjykuar publikisht përpara përfundimit të procesit, kjo mund të merret parasysh gjatë përcaktimit të dënimit, në rast se shpallen fajtorë.
Hetimet për zjarrin tragjik, i cili shkaktoi dhjetëra viktima dhe shumë të lënduar, vazhdojnë, ndërsa autoritetet synojnë të sqarojnë të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë për ngjarjen./Telegrafi/