Një menaxher projekti është shpallur fajtor nga Gjykata e Qarkut në Horgen, në kantonin e Cyrihut, pas një aksidenti në vendin e punës, ku një punëtor ndërtimi ra nga çatia e një ndërtese në Rüschlikon, në shtator të vitit 2024.
Gjykata e dënoi atë me një gjobë me kusht prej 33 mijë e 600 frangash zvicerane, pasi konstatoi se nuk kishte siguruar masat e nevojshme të mbrojtjes nga rënia. Megjithatë, i dënuari e ka apeluar vendimin, i cili ende nuk është i formës së prerë.
Aksidenti ndodhi gjatë instalimit të një sistemi fotovoltaik në çatinë e sheshtë të një ndërtese banimi. Sipas aktakuzës, tre anë të çatisë ishin të pajisura me mbrojtje kundër rënies, ndërsa ana që shikonte nga oborri, rreth tre metra më poshtë, nuk kishte masa të tilla sigurie, shkruan Blue News, transmeton Telegrafi.
Kur disa panele diellore rrezikuan të rrëzoheshin në oborr, njëri nga punëtorët u përpoq t’i mbante ato, por humbi ekuilibrin dhe ra nga një lartësi prej 3.1 metrash, së bashku me panelet.
Si pasojë, ai theu një kockë të dorës dhe pësoi lëndime në thembër, të cilat kërkuan ndërhyrje kirurgjikale.
Gjykata: Menaxheri ishte përgjegjës për sigurinë
Prokuroria e akuzoi menaxherin e projektit për neglizhencë dhe shkelje të rregullave të sigurisë në ndërtim. Sipas saj, në pjesën e pambrojtur të çatisë duhej të ishin vendosur skela ose masa të tjera të përshtatshme për parandalimin e rënies.
Gjatë gjykimit, mbrojtja kërkoi lirimin e plotë të klientit nga akuzat, duke argumentuar se ai ndodhej në zyrën e tij, rreth 30 kilometra larg kantierit, në momentin e aksidentit.
Avokati theksoi se punët e instalimit ishin nënkontraktuar dhe se nuk ishte sqaruar mjaftueshëm se kush kishte përgjegjësinë konkrete për sigurinë në kantier. Sipas mbrojtjes, punëtorët ishin informuar paraprakisht për rregullat e sigurisë.
Megjithatë, gjykata vlerësoi se dokumentet e nënshkruara nga i pandehuri, si dhe deklaratat e punëtorit të lënduar dhe të një dëshmitari, dëshmonin se ai kishte përgjegjësi për projektin.
Sipas gjykatës, nga deklaratat e tyre rezultonte gjithashtu se udhëzimi për të mos përdorur pajisje sigurie gjatë punës kishte ardhur nga menaxheri.
Dënimi mund të ndryshojë pas ankesës
Gjykata e cilësoi fajësinë si të shkallës së ulët dhe vendosi një dënim me kusht prej 120 ditësh-gjobë, me vlerë prej 280 frangash secila, që arrin gjithsej në 33 mijë e 600 franga zvicerane. Periudha e provës është caktuar në dy vjet.
Vendimi ishte më i butë se kërkesa e prokurorisë, e cila kishte kërkuar një gjobë me kusht prej 31 mijë e 200 frangash, si dhe një gjobë shtesë prej 6 mijë e 200 frangash.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit, menaxheri paraqiti ankesë. Për këtë arsye, çështja do të vazhdojë në instancën e radhës dhe vendimi nuk është ende përfundimtar./Telegrafi/