Sulmuesi i Liverpoolit, Victor Munoz, bëri një krahasim midis të luajturit në Ligën Premier dhe në La Liga.
Spanjolli iu bashkua Reds këtë verë për 40 milionë euro nga Osasuna. Këtë sezon, ai ka shënuar një gol në gjashtë ndeshje.
Tani kur ka kaluar rreth dy muaj te skuadra angleze, Munoz ka treguar dallimin mes La Ligës dhe Ligës Premier.
“Më pëlqen shumë të ndjek La Ligën dhe vërej disa ndryshime në krahasim me Ligën Premier. La Liga është shumë më taktike, ndërsa ndeshjet e Ligës Premier janë më fizike”, ka thënë fillimisht Munoz.
“Në të vërtetë, vërej më shumë ndryshime krahasuar me vitet e kaluara – kjo ka të bëjë me intensitetin e stërvitjes dhe sasinë e punës fizike. Ngarkesa e punës është shumë serioze dhe më ndihmon të zhvillohem”, përfundoi spanjolli. /Telegrafi/