Rio Ferdinand ka dalë në mbrojtje të mikut të tij, Cristiano Ronaldos, në mes të polemikave të vazhdueshme që rrethojnë kapitenin e Portugalisë.
Ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit këmbëngul se ta gjykosh Ronaldon vetëm në bazë të viteve të fundit do të thotë të anashkalosh gjithçka që ai ka bërë për klubin dhe kombëtaren, si dhe shifrat dhe trofetë e jashtëzakonshëm që ka arritur.
Ronaldo u largua nga grumbullimi i Portugalisë para ndeshjes së Ligës së Kombeve ndaj Danimarkës, ndërsa Ferdinand beson se kritikat e fundit ndaj sulmuesit tregojnë vetëm një pjesë të historisë. Ajo që e shqetëson ish-futbollistin anglez është se shumë njerëz e vlerësojnë Ronaldon vetëm në bazë të paraqitjeve të tij gjatë tre apo katër viteve të fundit.
Duke publikuar një video në rrjetet sociale, Ferdinand tha: “Ku ishte Portugalia para Cristiano Ronaldos? Çfarë kishin arritur? Edhe të arrinin në fazat e fundit të garave, e lëre më të fitonin? Ajo që më shqetëson është se shumë njerëz e gjykojnë atë bazuar në tre ose katër vitet e fundit”.
“Dhe ai ende po shënon shifra të jashtëzakonshme për dikë në moshën e tij, pavarësisht se në cilën ligë luan”, shtoi ish-lojtari i Manchester Unitedit.
Sipas Ferdinandit, golat dhe rekordet vazhdojnë të vijnë pavarësisht moshës së Ronaldos dhe kjo duhet të merret parasysh në çdo vlerësim të drejtë për të.
Ferdinand nuk u ndal vetëm te kontributi i Ronaldos me Portugalinë. Ai përmendi edhe periudhat e tij te Juventusi, Real Madridi dhe Manchester Unitedi, duke theksuar se portugezi nuk është mbështetur vetëm në një periudhë të artë të karrierës, por ka lënë gjurmë në disa klube dhe për shumë vite.
“Mendoj se shumë njerëz duhet ta rishikojnë këtë. Shikoni, për shembull, çfarë po bënte te Juventusi, më pas shkoi te Real Madridi dhe pastaj te Manchester Unitedi”, theksoi Ferdinand.
Ish-mbrojtësi anglez vlerësoi në veçanti vazhdimësinë e Ronaldos dhe suksesin që ai ka pasur në etapa të ndryshme të karrierës së tij, duke argumentuar se kontributi i portugezit nuk mund të matet vetëm me formën e viteve të fundit./Telegrafi/