Të fitosh një trofe pas një pritjeje të gjatë është gjithmonë diçka e veçantë, por ta bësh këtë në një finale dramatike ndaj rivalit të madh, me përmbysje emocionesh dhe vazhdime, e bën momentin edhe më të paharrueshëm.
Bashkimi e mposhti Trepçën në një finale spektakolare të Superkupës së Kosovës me rezultat 103-93 pas vazhdimeve, ndërsa një prej protagonistëve kryesorë të kësaj fitoreje ishte Shannon Shorter.
Amerikani u shpall MVP i finales me 23 pikë, 13 kërcime dhe katër asistime, por për të, çmimi individual ishte vetëm një pjesë e një suksesi që i përket të gjithë skuadrës dhe tifozëve të ekipit prizrenas.
Në një intervistë për Telegrafin, Shorter foli për emocionet pas triumfit, reagimin e Bashkimit në vazhdime, ndërprerjen e gjatë, rikthimin e tij në skuadër dhe objektivat për pjesën tjetër të sezonit.
“Superkupa do të thotë shumë për Bashkimin dhe për gjithë këtë komunitet. Duke e ditur se sa gjatë kanë pritur për një trofe, besoj se emocionet e të gjithëve e treguan këtë. Për mua personalisht ishte një nga objektivat që e kisha shkruar pas përfundimit të sezonit dhe, falë Zotit, ia dolëm ta realizojmë”, ka thënë Shorter për Telegrafin.
Paraqitja e tij u shpërblye me çmimin MVP, por 34-vjeçari nuk e sheh veten mbi skuadrën. Ai thekson se edhe disa prej bashkëlojtarëve të tij mund ta kishin fituar këtë çmim.
“Jam mirënjohës që ende mund të kem ndikim në një kulturë fituese. E mbaj veten nën një standard të caktuar, por jam i lumtur që edhe bashkëlojtarët e mi patën paraqitje të jashtëzakonshme. Mendoj se çmimi mund t’i kishte shkuar edhe Baileyt, Lejsonit apo Mylesit. Skuadra luajti jashtëzakonisht mirë dhe unë thjesht isha pjesë e saj”, është shprehur ai.
Finalja ishte larg së qenit e zakonshme. Bashkimi ishte shumë pranë fitores në kohën e rregullt, por Trepça arriti ta barazojë rezultatin në 87:87 dhe ndeshja shkoi në vazhdime.
Shorter, megjithatë, nuk e përjetoi këtë moment me frikë apo panik.
“Asgjë nuk më befason kur luaj kundër Trepçës. Kur e barazuan rezultatin në 87:87, unë buzëqesha dhe qesha. I thashë vetes: edhe pesë minuta”, ka treguar ai.
Në vazhdime, Bashkimi e rriti edhe më shumë energjinë dhe përqendrimin, duke e mbyllur ndeshjen në favor të tij.
“Besoj se kemi pasur një fazë shumë të mirë përgatitore, kështu që e di se si funksionojnë lojtarët. Mendoj se energjia dhe përqendrimi ynë u rritën edhe më shumë. E donim shumë atë fitore”, ka deklaruar Shorter.
Ndërprerja e gjatë para vazhdimeve mund të ndikonte në ritmin dhe përqendrimin e lojtarëve, por për amerikanin ajo u shfrytëzua për ta analizuar situatën dhe për t’u rikthyer më të përgatitur në parket.
“Nuk ishte aspak e vështirë. Ishim në zhveshtore duke diskutuar se si mund të ishim më të mirë dhe çfarë duhej të bënim ndryshe nëse donim të kishim një mundësi”, ka thënë ai.
Shorter vendosi të rikthehej te Bashkimi edhe për shkak të njerëzve që e rrethojnë klubin. Në veçanti, ai përmendi presidentin Kushtrim Kabashi, duke theksuar se te skuadra e Prizrenit ndihet i lirë dhe i mirëpritur.
“Kushtrim, Igor, Elbo, i gjithë stafi. Edhe bashkëlojtarët e mi. Ndihem i lirë dhe i mirëpritur në këtë skuadër. Mendoj se sezoni i kaluar nuk përfundoi ashtu siç doja dhe dëshiroja të isha pjesë e procesit për të sjellë trofe në Prizren”, ka rrëfyer Shorter.
Shorter dhe presidenti i KB Bashkimit, Kushtrim Kabashi
Pas triumfit në Superkupë, ambiciet e Bashkimit janë të qarta. Shorter e sheh shëndetin si faktorin e parë dhe beson se, nëse skuadra qëndron e kompletuar, mund të luftojë për trofe të tjerë.
“Besoj se objektivi numër një është shëndeti. Nëse qëndrojmë të shëndetshëm, mund të garojmë për kampionatin. Gjithashtu, duhet ta shfrytëzojmë çdo ditë. Stërvitjet tona janë shumë konkurruese dhe përmbushëse në njëfarë mënyre. Personalisht, po e shijoj çdo moment”, përfundoi Shorter./Telegrafi/