Tetori ka nisur me disa ndryshime në Zvicër, që prekin Kosovën, shëndetin, e madje edhe çmimet e qumështit.
Këto ndryshime janë bërë të ditura nga mediat zvicerane, ku ndër tjera u tha se do ketë edhe rregulla kundër pastrimit të parave.
Kur jemi te Kosova, një marrëveshje e tregtisë së lirë do të hyjë në fuqi nga sot me 1 tetor 2026, midis shteteve anëtare të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA), anëtare e së cilës është Zvicra, dhe Republikës së Kosovës, njofton LeCanton27.ch.
Sipas një deklarate nga Këshilli Federal, kjo marrëveshje forcon sigurinë ligjore dhe parashikueshmërinë e tregtisë dypalëshe dhe përmirëson aksesin për mallrat dhe shërbimet zvicerane në tregun kosovar. Të gjitha eksportet zvicerane në Kosovë do të përfitojnë nga një përjashtim nga taksat doganore.
Kurse, te pjesa e pastrimit të parave, Këshilli Federal ka rishikuar Aktin aktual të Pastrimit të Parave, ku përveç kësaj, do të hyjë në fuqi një ligj i ri mbi “transparencën e personave juridikë dhe identifikimin e pronarëve përfituese”.
Këto dy ligje synojnë të forcojnë luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Po ashtu, nga sot (1 tetor), autoritetet zvicerane do të jenë në gjendje të përdorin njoftime të reja kërkimi dhe informacioni në Sistemin e Informacionit Shengen (SIS) dhe bëhet fjalë kryesisht për individë nga vende të treta të dyshuar për planifikim ose kryerjen e akteve të terrorizmit ose krimeve të rënda, transmeton Telegrafi.
Kurse, qumështi organik do të rritet me 3 cent për litër duke filluar nga 1 tetori i këtij viti dhe kjo rritje ka ardhur si pasojë e kushteve të jashtëzakonshme të motit të këtij viti.
“Thatësira, mungesa e ushqimit për kafshët dhe humbjet që rezultojnë nga të korrat po ndikojnë në gjendjen ekonomike të shumë fermave organike” kanë deklaruar nga Bio Suisse./Telegrafi/