Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën për rialokimin e 1,080,787.51 eurove për realizimin e projekteve kapitale në komunat e Podujevës dhe Shtimes.
Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e Qeverisë, mjetet rialokohen në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit nga kategoria e shpenzimeve për “Investime kapitale”.
Bëhet fjalë për mjete të planifikuara fillimisht në kuadër të projektit kapital “Programi i Bashkëfinancimit me Kuvendet Komunale”, të cilat do të përdoren për projekte të reja kapitale.
Në Podujevë, mjetet do të dedikohen për ndërtimin e rrugëve Lluga–Bellopojë dhe Siboc–Dumosh.
Ndërkaq, në Komunën e Shtimes, financimi do të përdoret për asfaltimin e rrugës së Topillës, si dhe rrugëve Carralevë–Zborc dhe Rancë–Greiçevc.
Qeveria ka bërë të ditur se rialokimi i mjeteve është bërë në përputhje me memorandumet e mirëkuptimit për projektet kapitale, të nënshkruara nga ministri i Infrastrukturës dhe Transportit dhe kryetarët e komunave të Podujevës dhe Shtimes. /Telegrafi/