Bashkimi Evropian ka përfunduar një projekt në vlerë prej 3.3 milionë eurosh për furnizimin me njehsorë inteligjentë të energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës.
Përfundimi i projektit u shënua të mërkurën në Mitrovicën e Veriut nga Bashkimi Evropian në Kosovë, së bashku me Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) dhe Elektroseverin.
Sipas njoftimit, projekti është financuar nga BE-ja dhe ka për qëllim avancimin e zbatimit të marrëveshjeve për energjinë të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Projekti lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë, i dakorduar nga Kosova dhe Serbia në vitin 2022.
Ky udhërrëfyes synon adresimin e çështjes së furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike në komunat veriore të Kosovës, një problem që kishte mbetur i pazgjidhur për vite me radhë.
Gjatë viteve 2025 dhe 2026, Elektroseveri dhe KEDS-i kanë bashkëpunuar në instalimin e njehsorëve të rinj.
Sipas të dhënave të publikuara, deri më tani janë instaluar mbi 20 mijë njehsorë inteligjentë në amvisëri dhe biznese në veri të vendit.
Njehsorët e rinj mundësojnë matjen më të saktë të konsumit të energjisë elektrike dhe faturimin sipas konsumit të regjistruar.
Po ashtu, sipas BE-së, sistemi i ri mundëson monitorim më të mirë të konsumit dhe pritet të kontribuojë në rritjen e transparencës dhe qëndrueshmërisë së furnizimit me energji elektrike.
Bashkimi Evropian ka vlerësuar se projekti është një shembull se si marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut Kosovë-Serbi mund të prodhojnë rezultate konkrete në terren.
“Projekti dëshmon se si marrëveshjet e arritura përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja mund të shndërrohen në përmirësime praktike në terren”, thuhet në njoftim.
BE-ja ka ritheksuar se mbetet e përkushtuar në mbështetjen e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Dialog, si dhe të zgjidhjeve që, sipas saj, sjellin përfitime për qytetarët dhe kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /Telegrafi/