Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) mirëpret miratimin nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe procedimin në Kuvend të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit (AML/CFT), si një hap i rëndësishëm drejt kompletimit të kërkesave ligjore të nevojshme për aplikimin e Republikës së Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Miratimi nga ana e Kuvendit dhe hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve do t’i hapë rrugë BQK-së që, pas përmbushjes së hapave të mbetur rregullativë, të procedojë me aplikimin final për përfshirjen e Kosovës në shtrirjen gjeografike të SEPA-s.
BQK ka përfunduar pjesën kryesore të përgatitjeve institucionale, ligjore, rregullative dhe teknike në kuadër të këtij procesi. Në zbatim të Ligjit të ri për Shërbimet e Pagesave dhe në funksion të përafrimit me kornizën përkatëse të Bashkimit Evropian, BQK ka miratuar mbi 20 rregullore dhe akte të tjera rregullative. Pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të nevojshme në legjislacionin për AML/CFT, BQK do të procedojë edhe me miratimin e dy rregulloreve të fundit të ndërlidhura me kërkesat për SEPA, duke kompletuar kështu kornizën rregullative të nevojshme për aplikim.
Përfshirja e Kosovës në SEPA pritet të sjellë përfitime të drejtpërdrejta dhe të konsiderueshme për qytetarët, bizneset dhe ekonominë e vendit. Bazuar në vlerësimet përkatëse, kursimet nga ulja e kostove të pagesave ndërkufitare pritet të tejkalojnë 55 milionë euro në vit, duke përfituar veçanërisht qytetarët që pranojnë remitanca, bizneset, eksportuesit dhe importuesit. Njëkohësisht, pagesat në euro me vendet e zonës SEPA do të bëhen më të shpejta, më efikase dhe me kosto më të ulët.
SEPA, së bashku me zhvillimin e sistemit të pagesave të shpejta TIPS Clone, përbën reformën kryesore të BQK-së në modernizimin e infrastrukturës financiare dhe të pagesave dhe në avancimin e integrimit të Kosovës në tregun financiar evropian. Këto dy procese plotësojnë njëra-tjetrën dhe krijojnë bazën për një sistem pagesash modern, interoperabil dhe të përafruar me standardet dhe infrastrukturën evropiane.
Përmes këtyre reformave, synohet jo vetëm ulja e kostove dhe rritja e shpejtësisë së pagesave, por edhe forcimi i konkurrencës, inovacionit dhe përfshirjes financiare, si dhe krijimi i kushteve që qytetarët dhe bizneset e Kosovës të kenë qasje në shërbime pagesash gjithnjë e më të krahasueshme me ato të tregut evropian.
BQK vlerëson bashkëpunimin ndërinstituciona në avancimin e këtij procesi dhe pret kompletimin e hapave të mbetur ligjorë, në mënyrë që menjëherë pas përmbushjes së kërkesave përkatëse të procedojë me aplikimin për SEPA.
BQK mbetet plotësisht e angazhuar që, në koordinim me institucionet vendore, sektorin financiar dhe partnerët evropianë, të avancojë reformat që mundësojnë integrimin e mëtejshëm të sistemit financiar të Kosovës në tregun dhe infrastrukturën financiare evropiane, transmeton Telegrafi.