Politikëbërës, institucione financiare, investitorë, biznese dhe ekspertë nga Kosova dhe Luksemburgu janë mbledhur në Prishtinë në kuadër të Forumit Kosovë–Luksemburg “Financimi për Ndikim”, me fokus në mobilizimin e investimeve private për tranzicionin ekonomik dhe energjetik të Kosovës.
Në Forum ka marrë pjesë përmes një videomesazhi edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme e Tregtisë së Jashtme i Luksemburgut, Xavier Bettel.
Fjalime kanë mbajtur edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministri i Financave, Hekuran Murati, si dhe përfaqësues të Shoqatës së Bankave të Kosovës.
Në hapje të Forumit, shefi i Misionit të Ambasadës së Luksemburgut në Prishtinë, Eric Dietz, ka theksuar rëndësinë e forcimit të lidhjeve ndërmjet sektorëve financiarë të dy vendeve dhe shndërrimit të tyre në investime, inovacion dhe zhvillim ekonomik.
Diskutimet janë përqendruar në mënyrën se si Kosova mund t’i shndërrojë nevojat për investime dhe prioritetet e tranzicionit energjetik në projekte që mund të tërheqin kapital privat.
Sipas organizatorëve, vetëm zbatimi i Strategjisë së Energjisë së Kosovës kërkon rreth 3 miliardë euro investime. Kosova synon që deri në vitin 2031 të arrijë 1,600 MW kapacitet të instaluar nga burimet e ripërtëritshme dhe të sigurojë të paktën 35 për qind të konsumit të energjisë elektrike nga këto burime.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka theksuar përparimin e Kosovës në zhvillimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme, duke veçuar ankandet konkurruese.
Sipas saj, projektet aktuale të energjisë solare përfshijnë rreth 70 milionë euro investime private, ndërsa ankandi i parë për energjinë e erës pritet të mobilizojë rreth 100 milionë euro për një projekt me kapacitet prej 100 MW.
Ankandet e planifikuara për energjinë e ripërtëritshme, të mbështetura përmes bashkëpunimit me Luksemburgun, pritet të sjellin rreth 200 MW kapacitete të reja dhe mbi 200 milionë euro investime private.
Ndërkohë, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka vënë theksin te diversifikimi i burimeve të financimit për tranzicionin energjetik, duke e lidhur financimin e qëndrueshëm me zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Kosovë.
Forumi ka përfshirë edhe dy panele të nivelit të lartë, ku është diskutuar mobilizimi i kapitalit, zhvillimi i ekosistemit financiar, financimi i gjelbër dhe roli i institucioneve financiare, garancive dhe teknologjisë financiare në lehtësimin e investimeve.
Forumi Kosovë–Luksemburg është iniciativë e Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut në Prishtinë dhe organizohet në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës. Ai është pjesë e projektit “Tranzicioni Energjetik dhe Zbutja e Ndryshimeve Klimatike në Kosovë”, të financuar nga Luksemburgu dhe të zbatuar nga LuxDev.
Programi do të vazhdojë më 1 tetor me diskutime teknike për tregjet e kapitalit, obligacionet e qëndrueshme dhe inovacionin financiar, ndërsa më 2 tetor do të zhvillohen shkëmbime të tjera me sektorin bankar të Kosovës. /Telegrafi/