Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për rialokimin e 102 milionë eurove në buxhetin e Kosovës.
Projektligji i miratuar parasheh që pjesa kryesore e mjeteve të shkojë në kontingjencën e pagave, për të mbuluar pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik dhe shtesën e përvojes.
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se pagesat retroaktive do të mbulojnë periudhën nga hyrja në retroaktive për diferencën e shtesës prej 0.5 për qind për përvojën e punës.
“Që nga ky vit, me anë të Ligjit për Ndarje Buxhetore e kemi mbuluar shtesën prej 0.5 për qind, mirëpo hapësira e pambuluar që ka mbetur është prej kur ka hyrë Ligji i Pagave në fuqi deri në fund të vitit të kaluar”, tha Murati në mbledhjen e Qeverisë.
Nga rialokimi janë paraparë edhe 20 milionë euro për pensionet bazike, me qëllim të mbulimit të kostos së rritjes së numrit të pensionistëve.
Murati tha se këto mjete do të përdoren për të mbuluar “rritjen e natyrshme të pensionistëve”.
Ndërkohë, paga e 13-të për punonjësit e sektorit publik ishte ndarë edhe gjatë vitit të kaluar.
Shtesa prej 0.5 për qind lidhet me përvojën e punës në sektorin publik. Sipas skemës së mëparshme, për çdo vit përvojë pune punonjësit përfitonin 0.5 për qind shtesë mbi pagën bazë.
Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat në vitin 2022, mënyra e llogaritjes ndryshoi.
Për 15 vitet e para të përvojës, shtesa u përcaktua në 0.25 për qind për vit, ndërsa pas vitit të 15-të aplikohet norma prej 0.5 për qind.