Kryeministri i vendit, Albin Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka folur sërish lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale dhe kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me procedimin e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Specialen.
Kurti theksoi se fillimisht është për t’u përshëndetur vendimi i së hënës i Kuvendit të Kosovës, ku me 99 vota për u miratua deklarata që ka të bëjë me Gjykatën Speciale.
Ai tha se kanë shprehur gatishmërinë për një strategji se si të veprohet tutje drejt Apelit.
“T’i mbledhim energjitë, kokat e fushës së caktuar, ekspertizë juridike në mënyrë që në Apel të bëhen korrigjimet e nevojshme dhe të triumfojë drejtësia”, tha ai.
Kurti është përgjigjur edhe lidhur me kërkesën e PDK-së, rrjedhimisht iniciativën e PDK-së për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Gjykatë Speciale.
“Tash Zyra ligjore në Kryeministri ka kërkuar mendim nga Zyra ligjore e Ministrisë së Drejtësisë dhe ajo e Departamentit për Buxhet e Ministrisë së Financave. Kjo është procedurë e rregullt qysh bëhet me secilin iniciativë ligjore…
Prej informimeve që i kam nga ministrisë përkatëse brenda kësaj jave do ta kemi përgjigjen, edhe si mendim të Zyrës ligjore të ministrisë së Drejtësisë, gjithashtu edhe vlerësimin financiar të Departamentit të Buxhetit të Ministrisë së Financave dhe menjëherë do t’ia japim përgjigjen Kuvendit të Republikës dhe aty do të vazhdojë më tutje procedura…”, tha ndër të tjera Kurti. /Telegrafi/