Kombëtarja U21 e Kosovës ka zhvilluar të martën stërvitjen e fundit para ndeshjes së radhës kualifikuese ndaj Qipros U21, në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Evropian U21, që do të mbahet në Shqipëri dhe Serbi në vitin 2027.
Dardanët e rinj vijnë në këtë përballje pas fitores 3-0 ndaj San Marinos javën e kaluar, rezultat që u dha atyre një tjetër shtysë për ta mbyllur ciklin kualifikues me paraqitje pozitive.
Ndeshja Kosovë U21 – Qipro U21 zhvillohet sot, e mërkurë, në stadiumin “Fadil Vokrri”, nga ora 19:00.
Futbollistët kosovarë kanë bërë të ditur se janë të gatshëm për të dhënë maksimumin dhe për të kërkuar fitoren e dytë radhazi.
Përballja me Qipron do të jetë e parafundit për Kosovën U21 në këto eliminatore, ndërsa ciklin kualifikues do ta përmbyllë më 6 tetor, po ashtu në shtëpi, ndaj Finlandës U21.
Kosova aktualisht renditet në vendin e katërt në grup me 11 pikë dhe nuk ka më gjasa për kualifikim në Kampionatin Evropian U21. Spanja kryeson grupin me 21 pikë, ndërsa Finlanda është në vendin e dytë me 19 pikë.
Megjithatë, Dardanët synojnë ta shfrytëzojnë këtë përballje për të regjistruar një tjetër rezultat pozitiv dhe për t’i dhënë fund ciklit me paraqitje sa më të mirë.
Për këtë ndeshje, hyrja në stadiumin “Fadil Vokrri” është falas, ndaj tifozët janë të ftuar të jenë të pranishëm dhe t’i japin mbështetje Kombëtares U21 në këtë përballje.
Ndeshja nis në ora 19:00, ndërsa pas saj Kosova U21 do ta ketë edhe një takim të fundit ndaj Finlandës më 6 tetor. /Telegrafi/