Evelina Ajazaj-Leka është zgjedhur kryetare e Federatës së Gjahtarëve të Kosovës, duke marrë shumicën absolute të votave të anëtarëve të Kuvendit të kësaj federate.
Zgjedhja e saj është vlerësuar si një zhvillim i rëndësishëm për këtë organizatë, veçanërisht për faktin se, sipas një reagimi të publikuar pas zgjedhjes, Ajazaj-Leka është gruaja e parë që merr drejtimin e Federatës së Gjahtarëve të Kosovës.
Sekretari i përgjithshëm i Unionit Shqiptaro-Gjerman e.v., Nuradin Imeraj, e ka përshëndetur zgjedhjen e saj, duke e përshkruar Ajazaj-Lekën si një profesioniste me përgatitje dhe përvojë në fushën e mbrojtjes së jetës së egër dhe habitateve natyrore.
“Ka njerëz që flasin për të ardhmen, por ka edhe njerëz që me dijen, guximin, profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre bëhen pjesë e ndërtimit të saj”, ka shkruar Imeraj.
Ai ka theksuar se Ajazaj-Leka vjen në këtë pozitë me përgatitje profesionale dhe përvojë, ndërsa ka vlerësuar edhe angazhimin e saj në jetën kulturore dhe shoqërore.
Sipas Imerajt, përgjegjësia e re e Ajazaj-Lekës lidhet edhe me mbrojtjen e natyrës, jetës së egër dhe habitateve në Kosovë.
“Ato nuk janë pronë e një gjenerate; janë pasuri që ua kemi borxh brezave që do të vijnë. Prandaj duhet t’i mbrojmë e t’i ruajmë si sytë e ballit”, ka shkruar ai.
Imeraj ka treguar se ka bashkëpunuar me Ajazaj-Lekën edhe në organizimin e aktiviteteve kulturore, duke thënë se përmes këtyre angazhimeve ka pasur mundësi ta njohë nga afër profesionalizmin dhe përkushtimin e saj.
“Prandaj, sot, si mik i saj, krenohem me arritjen e Evelinës”, ka shkruar Imeraj.
Ai i ka uruar sukses Ajazaj-Lekës në detyrën e re, duke shprehur besimin se ajo do ta përmbushë përgjegjësinë e marrë nga anëtarët e Federatës së Gjahtarëve të Kosovës. /Telegrafi/