Segmenti rrugor Smrekonicë–Mitrovicë, në gjatësi prej rreth pesë kilometrash, pritet të përmbyllë lidhjen rrugore Prishtinë–Vushtrri–Mitrovicë.
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, së bashku me ministrat Hekuran Murati dhe Arben Vitia, kanë pritur udhëheqësin e Fondit Saudit për Zhvillim, Al-Marshad, me të cilin kanë diskutuar për projektet infrastrukturore dhe bashkëpunimin e mëtejmë.
Sipas njoftimit, investimi për ndërtimin e këtij segmenti kap vlerën mbi 16 milionë euro.
Nga kjo shumë, 12.3 milionë euro do të financohen nga Fondi Saudit për Zhvillim, ndërsa 3.7 milionë euro nga Republika e Kosovës.
Projekti parasheh ndërtimin e rrugës me nga dy korsi në secilin drejtim, korsi emergjente, katër kryqëzime kryesore, si dhe infrastrukturë moderne të sigurisë rrugore.
Sipas ministrisë, pas përfundimit të procedurave të shpronësimit dhe rishikimit të projektit, pritet të nisin procedurat e tenderimit për realizimin e punimeve.
Segmenti Smrekonicë–Mitrovicë paraqet pjesën e fundit të lidhjes rrugore Prishtinë–Vushtrri–Mitrovicë. /Telegrafi/