Një incident i pazakontë është regjistruar në Itali, ku një patrullë policie u përplas me një koleg të saj dhe një migrant afrikan, teksa po nxitonte për t’i ardhur në ndihmë policit që po kryente një ndalim.
Sipas pamjeve nga vendi i ngjarjes, një polic po përpiqej të ndalonte një migrant, ndërsa një patrullë tjetër u nis me shpejtësi drejt tyre për të ndihmuar kolegun.
Megjithatë, policët që ndodheshin në automjet nuk arritën të frenonin në kohë. Si pasojë, automjeti goditi fillimisht kolegun e tyre dhe më pas edhe migrantin që po ndalohej.
Përplasja shkaktoi një situatë kaotike në vendin e ngjarjes, ndërsa policët u detyruan të ndërhynin menjëherë për të kontrolluar situatën.
Pavarësisht përplasjes, sipas raportimeve, asnjëri prej personave të përfshirë nuk pësoi lëndime të rënda.
Incidenti është bërë viral në rrjetet sociale, kryesisht për shkak të mënyrës së pazakontë se si ndodhi përplasja, teksa policia po përpiqej të ndihmonte një koleg gjatë ndalimit të migrantit. /Telegrafi/