Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së Kosovës që ta procedojnë në Kuvend projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në natën e 14-të të protestës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, Haziri tha se deklarata e miratuar një ditë më parë nga 99 deputetë nuk i përmbush kërkesat e protestuesve nëse ajo nuk pasohet me veprime konkrete ligjore.
Kuvendi i Kosovës të hënën e miratoi me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deklaratën për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Deklarata, megjithatë, nuk prodhon efekte juridike të detyrueshme.
Duke iu drejtuar protestuesve, Haziri i falënderoi qytetarët që, siç tha ai, edhe pas dy javësh vazhdojnë të mblidhen çdo mbrëmje.
“E di që pas një dite të gjatë, me hallet e punës, me fëmijët, me përditshmërinë dhe barrën që e ka secili prej nesh, më e lehta do të ishte të rrinim në shtëpi. Por ja ku jemi! Prapë bashkë. Prapë këtu”, tha Haziri.
Sipas tij, vazhdimi i protestës tregon se qytetarët nuk janë lodhur, por se po u soset durimi në pritje të veprimeve institucionale.
“Vetëm shikojeni njëri-tjetrin në sy: këtu nuk ka plogështi! Në këtë shesh ka vetëm një gjë që po zien çdo ditë e më shumë: këtu po soset durimi! Nuk po rritet lodhja, por po soset durimi”, u shpreh ai.
Haziri foli edhe për deklaratën e miratuar nga Kuvendi, duke thënë se pas votimit të saj përgjegjësia, sipas tij, nuk mund të zhvendoset më nga një institucion te tjetri.
“Deri dje luanin ping-pong me përgjegjësinë shtetërore. Na shisnin mjegull e na thoshin: ‘Prisni Kuvendin, se pa folur Kuvendi nuk mund të bëjmë asgjë’. Epo Kuvendi e bëri lëvizjen e vet. 99 deputetë të të gjitha partive e votuan atë deklaratën e famshme”, deklaroi Haziri.
Ai e cilësoi të pamjaftueshme deklaratën nëse nuk pasohet nga ndryshimet ligjore që po kërkojnë protestuesit.
“Janë fjalë të radhitura bukur në një letër sa për të thënë: ‘Ja, ne e bëmë tonën, lajini duart’. Zero pasoja juridike. Zero! Kjo deklaratë, pa ligjin prapa saj, është fiks me na ushqy me lugë të thatë”, tha ai.
“Kosova nuk është kullë e ndërtuar me letra. Kosova është kullë e mundit, djersës, sakrificës e gjakut. Kulla mbahet me vepra, e shteti mbahet me ligje! Jo me deklarata”, shtoi Haziri.
Protesta hyn në natën e 14-të, qytetarët kërkojnë veprime nga institucionet e Kosovës telegrafi.com
Organizatori i protestës kërkoi nga deputetët që mbështetjen e shprehur përmes deklaratës ta dëshmojnë edhe në rast se projektligji arrin në Kuvend për votim.
“Nëse dje 99 duar u ngritën aq kollaj për një letër që askujt nuk ia prish terezinë, sa nga ato duar do të ngrihen kur ligji të vijë në rend të ditës? A do t’u dridhet dora atëherë, apo do të fshihen nën tavolinë?”, pyeti ai.
Haziri më pas tha se vëmendja e protestuesve është përqendruar te Qeveria dhe procedimi i projektligjit.
Ai theksoi se organizatorët ende nuk po e akuzojnë ekzekutivin për bllokimin e tij, por se janë në pritje të veprimeve.
“Ne nuk po dalim sonte të bërtasim e të themi se e keni bllokuar e që nuk po doni ta votoni. Kjo mbetet të shihet. Ne po presim. Nuk kemi dhënë verdikt. Jemi duke ju matë”, u shpreh Haziri.
Më pas ai iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Kurti, duke kërkuar procedimin e projektligjit.
“Kryeministër, në atë tavolinë ti nuk e ke thjesht një projektligj! Nuk është udhëzim i rëndomtë administrativ. Nuk është rregullore e zakonshme. Atë që keni mbi tavolinë është dinjiteti i këtij shteti!”, tha Haziri.
Protestat “Jo në emrin tim” po zhvillohen në Prishtinë që nga 16 shtatori, pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Për 1 tetor është paralajmëruar një protestë më e madhe në kryeqytet.
Haziri tha se protestuesit nuk do të tërhiqen dhe paralajmëroi pjesëmarrje të madhe më 1 tetor.
“Ne kemi trokitur me fjalë. Kemi pritur me durim. Por durimi, vëllezër dhe motra, ka arritur në kufi! Nëse mendoni se kjo revoltë mbyllet me një deklaratë fasadë, mbajeni mend mirë: Më 1 tetor, do ta kuptoni se çfarë force mban ky shesh!”, tha ai.
“Më 1 tetor, zëri ynë nuk do të jetë më pritje — do të jetë lum njerëzish, një vërshim i vërtetë, një uragan i pandalshëm i këtij populli! Zgjidhja është në tavolinën tuaj. Veproni sa nuk është vonë!”, përfundoi Haziri./Telegrafi.