Protestat e nxënësve në Francë janë përshkallëzuar, me përplasje mes të rinjve dhe policisë në disa qytete, ndërsa bllokadat e shkollave të mesme po përhapen në të gjithë vendin.
Në Lille, në veri të Francës, nxënës të maskuar dogjën kosha mbeturinash dhe hodhën shishe, gurë dhe objekte të tjera drejt policisë, e cila përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Protesta dhe incidente të ngjashme u raportuan edhe në Nantes, Paris, Rennes, Marseille, Bordeaux dhe Lyon, transmeton Telegrafi.
Në disa raste, nxënësit vendosën dhjetëra kosha mbeturinash përpara hyrjeve të shkollave, duke penguar hyrjen e nxënësve dhe stafit. Në Paris, rreth 30 nxënës u përballën me një grup policësh pranë shkollës Arago.
Në shkollën Lamartine në Paris, rreth 80 nxënës u mblodhën me pankarta ku shkruhej: “Më shumë orë mësimi se gjumë” dhe “Nga ora 08:00 deri në 18:00, jemi nxënës apo të arrestuar?”.
Ndërsa në shkollën e mesme Bréquigny në Rennes, rreth 100 nxënës hodhën objekte drejt ndërtesës, sipas një gazetari të AFP-së.
Protestat nisën javën e kaluar në rajonin Île-de-France, rreth Parisit, dhe fillimisht u përqendruan te kushtet në shkolla. Nxënësit ankohen për klasa të mbipopulluara, mungesë mësuesish, orare të ngarkuara dhe temperatura të larta në ambiente, veçanërisht pas valëve të fundit të të nxehtit.
Autoritetet arsimore raportuan të martën bllokada në rreth 10 shkolla vetëm në rajonin e Parisit, ndërsa lëvizja tashmë është përhapur edhe në qytete të tjera.
Një nxënëse 17-vjeçare në shkollën Lamartine tha se të rinjtë janë të zemëruar për mungesën e burimeve, klasat e nxehta dhe oraret e mbingarkuara.
“Jemi gjithashtu këtu për të mbështetur mësuesit tanë, të cilët kanë një ngarkesë të jashtëzakonshme pune në raport me atë që paguhen”, tha ajo.
Në të njëjtën kohë, protestat e nxënësve janë bashkuar me një valë më të gjerë demonstratash dhe grevash në Francë kundër projektbuxhetit të qeverisë së kryeministrit Sébastien Lecornu, aleat i presidentit Emmanuel Macron.
Dhjetëra mijëra persona pritej të dilnin në protesta në Paris dhe qytete të tjera, ndërsa në grevë ishin parashikuar të hynin edhe mësuesit dhe shërbimet zjarrfikëse. Transporti publik, megjithatë, pritej të prekej më pak.
“Zemërimi është i jashtëzakonshëm”, tha drejtuesja e sindikatës CGT, Sophie Binet, duke i bërë thirrje qeverisë të adresojë kërkesat e protestuesve dhe të rishikojë projektbuxhetin, të cilin ajo e cilësoi të rrezikshëm për vendin.
Qeveria ka reaguar ashpër ndaj përshkallëzimit të protestave në shkolla. Kryeministri Lecornu e cilësoi të hënën çdo përshkallëzim të mëtejshëm si “të papërgjegjshëm” dhe kritikoi partinë e majtë radikale La France Insoumise, duke e akuzuar se po inkurajon protestat.
Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez tha se vetëm të hënën ishin arrestuar 164 persona, ndërsa protestat kishin prekur rreth 180 shkolla.
“Ne nuk mund t’i tolerojmë teprimet”, tha Nuñez.
Në periferinë Seine-Saint-Denis të Parisit, një zonë me të ardhura më të ulëta, kryetari i bashkisë Bally Bagayoko, nga La France Insoumise, iu bashkua një proteste ku morën pjesë qindra nxënës pranë shkollës Paul-Eluard.
Ai i cilësoi protestat “plotësisht legjitime” dhe argumentoi se zonat me të ardhura më të ulëta marrin më pak burime sesa zonat më të pasura.
Protestat pritet të mbeten një nga sfidat e momentit për qeverinë franceze, pasi pakënaqësia e nxënësve për kushtet në shkolla është bashkuar me kundërshtimin sindikal ndaj politikave buxhetore, duke krijuar një valë protestash në disa prej qyteteve kryesore të vendit. /Telegrafi/