Një gazetar veteran i televizionit shtetëror të Ugandës po përgatitet të bëhet mbret, por ngjitja e tij në fron është shoqëruar me një përplasje të ashpër brenda familjes mbretërore.
Princi Edward Rukidi Kijanangoma Nyabongo I, 56 vjeç, do të kurorëzohet mbret i mbretërisë Tooro, një prej katër mbretërive tradicionale të njohura zyrtarisht në Ugandë.
Për më shumë se dy dekada, Kijanangoma ishte një figurë e njohur për publikun jo si trashëgimtar i fronit, por si gazetar, prezantues dhe redaktor në transmetuesin shtetëror të Ugandës.
Tani, ai është në qendër të vëmendjes, pasi zgjedhja e tij si pasues i mbretit të ndjerë Oyo Nyimba Kabamba Iguru Rukidi IV ka shkaktuar një mosmarrëveshje të fortë mbi trashëgiminë, transmeton Telegrafi.
Mbreti Oyo vdiq muajin e kaluar në moshën 34-vjeçare, pas një beteje me kancerin. Ai ishte ngjitur në fron në vitin 1995, vetëm tre vjeç, pas vdekjes së babait të tij dhe për vite me radhë u njoh si një nga monarkët më të rinj në botë.
Sipas traditës Tooro, një djalë i njohur i mbretit duhet të pasojë të atin. Familjarë të afërt pretendojnë se Oyo kishte lënë pas një djalë të vogël dhe një testament ku kërkonte që ai të bëhej mbreti i ardhshëm.
Por djali nuk është prezantuar publikisht dhe nuk u njoh nga komiteti prej 21 anëtarësh të klanit Babiito, i cili ka përgjegjësinë për zgjedhjen e mbretit.
Nëna e mbretit të ndjerë, Mbretëresha Best Kemigisa, ka këmbëngulur se testamenti i të birit duhej respektuar. Ajo e ka cilësuar zgjedhjen e Kijanangomas si “shpalljen e një mbreti të dytë”, duke thënë se vendimi ishte veçanërisht i dhimbshëm për familjen.
Sipas saj, djali i Oyo-s ndodhej në Teksas dhe kishte planifikuar të kthehej në Ugandë, por përplasja rreth trashëgimisë e bëri kthimin e tij të vështirë.
Nga ana tjetër, autoritetet e mbretërisë thonë se djali nuk është paraqitur zyrtarisht dhe se procesi i zgjedhjes së Kijanangomas është zhvilluar në përputhje me zakonet dhe traditat e Tooro-s.
Ministri i Informacionit të mbretërisë, Charles Mwanguhya, tha se kurora këtë herë ka kaluar në një degë tjetër të familjes sunduese.
Kijanangoma dhe mbreti i ndjerë Oyo ishin kushërinj dhe të dy janë nipër të Rukidi III, mbretit të 11-të të Tooro-s, i cili sundoi nga viti 1928 deri më 1965.
Para zgjedhjes së Kijanangomas, për fronin u konsiderua edhe princi George Desmond Kamurasi, kapiten dhe portier i një klubi futbolli amator në Britani. Komiteti i trashëgimisë tha se ai e refuzoi postin për shkak të përgjegjësive të tjera.
Pas shpalljes si mbret, Kijanangoma premtoi se pallati do të jetë i hapur për njerëzit dhe se do të fokusohet në unitet dhe zhvillim.
“Ma kanë dhënë këtë titull si mbret, por nuk mund të punoj vetëm. Duhet të punoj me ju”, deklaroi ai.
Kurorëzimi i tij do të jetë një ceremoni tradicionale që nis pas mesnate. Mbreti i ardhshëm do të përshkojë rreth 4 kilometra drejt pallatit mbretëror Karuziika, ku do të zhvillohen ritualet tradicionale.
Një prej tyre është një përleshje simbolike, që sipas traditës nënkupton se mbretërimi nuk fitohet lehtë. Pas kësaj, anëtarët e klanit mbretëror Babiito do ta bekojnë, ndërsa ai do të kryejë ceremonitë që simbolizojnë marrjen e fronit. Në fund, kurora vendoset mbi kokën e tij.
Mbretërit tradicionalë të Ugandës nuk kanë pushtet formal politik, por vazhdojnë të kenë ndikim të madh kulturor dhe të gëzojnë mbështetje të konsiderueshme në komunitetet e tyre.
Uganda ka katër mbretëri kryesore tradicionale. Më e madhja është Buganda, në pjesën qendrore të vendit, ku ndodhet edhe kryeqyteti Kampala.
Monarkitë u shfuqizuan në vitin 1967, por qeveria e presidentit Yoweri Museveni i riktheu në fillim të viteve 1990, duke e argumentuar vendimin me ruajtjen e identitetit kulturor dhe promovimin e unitetit kombëtar.
Në mes të mosmarrëveshjes për trashëgiminë, qeveria ka mbështetur zgjedhjen e Kijanangomas. Prokurori i Përgjithshëm Sam Mayanja tha se mbretëria mund të vazhdojë me kurorëzimin, pasi nuk është paraqitur ndonjë ankesë formale kundër tij.
Edhe presidenti Museveni pritet të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit, ndërsa djali i tij dhe kreu i ushtrisë, Muhoozi Kainerugaba, e ka mbështetur publikisht mbretin e ri.
Por historia e Kijanangomas është po aq e pazakontë sa edhe mënyra se si ai u ngjit në fron.
Ai lindi në vitin 1970 dhe u rrit në fshatin Kidukuru, pranë Fort Portalit. Më vonë u largua për të ndjekur studimet dhe në vitin 1999 u diplomua për komunikim masiv në Universitetin Makerere.
Më pas nisi një karrierë më shumë se 20-vjeçare në gazetari, duke punuar si transmetues në Ugandë dhe në Ruandën fqinje, përpara se të bëhej një nga figurat e njohura të transmetuesit shtetëror ugandez.
Madje, vetë emri i tij lidhet me trashëgiminë mbretërore. Babai i tij, i pari Kijanangoma, lindi në vitin kur Rukidi III u bë mbret. Ishte vetë mbreti që i dha emrin, që nënkupton “ai që vjen me daullen mbretërore”.
Tani, pas dy brezash, daullja mbretërore duket se ka mbërritur te pasardhësi i saj.
Kijanangoma thotë se do të përdorë lidhjet dhe përvojën e krijuar gjatë 21 viteve në gazetari për të sjellë përfitime për njerëzit e Tooro-s.
Nëna e tij, Assimwe Yusta Kijanangoma, beson se djali i saj është përgatitur që në fëmijëri për këtë rol, përmes edukimit të lidhur ngushtë me traditat e vjetra të mbretërisë.
Ajo e përshkruan atë si një njeri të qetë dhe të disiplinuar, duke thënë se nuk është tip që lufton apo ngre zërin edhe kur përballet me padrejtësi.
Tani, ish-gazetari do të lërë pas kamerat dhe studiot televizive për të marrë mbi vete një rol krejt tjetër: atë të mbretit të Tooro-s, në një fron që është bërë tashmë objekt i një prej mosmarrëveshjeve më të bujshme të trashëgimisë në mbretërinë tradicionale të Ugandës.