Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka marrë pjesë së bashku me familjen në protestën “Jo në emrin tim”, e cila po mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Hamza ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se ka qenë pjesë e protestës për të 13-tën natë radhazi, duke thënë se është bashkuar me qytetarët në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Bashkë me familjen, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, në natën e 13-të, përkrah qytetarëve të jashtëzakonshëm të këtij vendi, të bashkuar rreth vlerës sonë madhore: UÇK-së”, ka shkruar Hamza.
Në fund të postimit, ai ka përcjellë edhe mesazhin: “Liri për çlirimtarët! Jo në emrin tim!”
Protestat “Jo në emrin tim” janë organizuar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.