Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i ka bërë publikisht ftesë VLEN-it që në raundin e dytë të zgjedhjeve ta mbështesë kandidatin e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Arkin Jahijin.
Taravari, sonte në emisionin “Debat në Shenja”, tha se Aleanca për Shqiptarët është e gatshme të angazhohet aktivisht në mbështetje të Jahijit, duke propozuar që në raundin e dytë të mos ketë banderola partiake dhe fushata të ndara.
“Ja, unë publikisht e ftoj VLEN-in. Arkini sigurisht do të shkojë në raundin e dytë. Publikisht e ftoj VLEN-in që ne të gjithë t’i heqim banderolat e Aleancës Kombëtare për Integrim dhe të kyçemi aktivisht, sikur ne që ishim vitin e kaluar në mbështetje të Haqim Ramadanit. Ne jemi të gatshëm që në raundin e dytë të mos ketë banderolë partiake. Komplet të fokusohemi ta përkrahim Arkin Jahijun dhe komuna të udhëhiqet prej një kuadri që ka përvojë institucionale”, deklaroi Taravari.
Taravari foli edhe për takimin e tij me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.
“Po, përafërsisht para një jave apo 10 ditësh ka pasur një takim të kryesive të ngushta mes Aleancës për Shqiptarët dhe BDI-së, në të cilin i koordinuam aktivitetet për zgjedhjet lokale që do të mbahen në Bërvenicë. Praktikisht, ishte një bisedë konstruktive, në të cilën diskutuam çështjet rreth organizimit”, deklaroi Taravari.
Ai tha se rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve të vitit 2026, sipas tij, kanë nisur me sukses për Aleancën Kombëtare për Integrim, duke iu referuar zgjedhjeve të 11 janarit në Gostivar dhe Vrapçisht.