Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas miratimit të Deklaratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë.
Rama e ka cilësuar unitetin institucional në miratimin e deklaratës si të rëndësishëm, duke theksuar se çështjet që lidhen me luftën për liri dhe historinë e Kosovës duhet të tejkalojnë dallimet politike.
“Sot, përballë një çështjeje që prek historinë tonë, luftën për liri dhe themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë, Kosova foli me një zë”, ka shkruar Rama.
Ai ka thënë se, kur bëhet fjalë për luftën çlirimtare, sakrificën e popullit dhe të vërtetën historike të Kosovës, përgjegjësia e përbashkët duhet të jetë mbi dallimet politike.
“Mbi partitë është shteti. Mbi interesat ditore është e vërteta jonë historike”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, drejtësia dhe historia kërkojnë trajtim të drejtë dhe të vërtetë, ndërsa institucionet e Kosovës duhet të jenë të bashkuara në çështjet që lidhen me themelet e lirisë së vendit.
“Sot Kuvendi e dha këtë mesazh. Dhe është një mesazh që duhet të dëgjohet fuqishëm edhe përtej Kosovës”, ka përfunduar Rama. /Telegrafi/