Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin dhe lokalizimin e një personi të dyshuar për vjedhje në Malishevë.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, përkatësisht Stacionit Policor në Malishevë – Sektorit të Hetimeve, rasti ka ndodhur më 12 qershor 2026 në një objekt tregtar në Malishevë.
Personi i dyshuar dyshohet se ka kryer veprën penale “Vjedhja”, ndërsa pavarësisht veprimeve hetimore të ndërmarra deri më tani, identiteti i tij ende nuk është zbuluar.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit dhe në kuadër të zhvillimit të procedurave hetimore, Policia ka publikuar fotografinë e personit të dyshuar dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndajnë çdo informacion që mund të ndihmojë në identifikimin ose lokalizimin e tij.
Qytetarët që kanë informacione lidhur me rastin mund ta kontaktojnë Policinë e Kosovës përmes numrit emergjent 192, në stacionin më të afërt policor ose përmes adresës zyrtare të postës elektronike info@kosovopolice.com.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të gjitha informacionet e pranuara do të trajtohen me konfidencialitet të plotë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.