Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka njoftuar se së bashku me mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në marshin përkujtimor të organizuar më 28 Shtator, në nderim të Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të rënëve për liri.
Aliu ka thënë se aktiviteti u zhvillua në shënim të 28-vjetorit të Epopesë së Jezercit, si dhe të përvjetorit të rënies së gjeneralit të luftës dhe paqes, Imri Ilazit – Komandant Ferrit.
Në një postim në rrjetet sociale, Aliu ka shkruar se marshi u zhvillua “për Dëshmorët e Kombit, për çlirimtarët, për lirinë”, duke e cilësuar UÇK-në si simbol të lirisë së Kosovës.
Ai po ashtu ka përmendur ish-krerët e UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Hagë, duke shprehur qëndrimin e tij në mbështetje të tyre dhe duke kërkuar drejtësi e liri për çlirimtarët.
Në fund të postimit, Aliu ka përshëndetur dëshmorët dhe të rënët për liri. /Telegrafi/