Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin dhe lokalizimin e një personi të dyshuar për vjedhje në Malishevë.
Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, përkatësisht Stacionit Policor në Malishevë – Sektori i Hetimeve, personi i dyshuar më 12 qershor 2026 dyshohet se ka kryer veprën penale “Vjedhja” në një objekt tregtar në Malishevë.
Policia ka bërë të ditur se, pavarësisht veprimeve të ndërmarra deri më tani, identiteti i personit ende nuk është zbuluar.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, Policia ka publikuar fotografinë e personit të dyshuar dhe ka ftuar qytetarët që, nëse kanë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në identifikimin ose lokalizimin e tij, ta raportojnë atë.
Informacionet mund të dërgohen përmes numrit emergjent 192, në stacionin më të afërt policor ose përmes adresës elektronike zyrtare të Policisë së Kosovës.
Policia ka garantuar se të gjitha informacionet e pranuara do të trajtohen me konfidencialitet të plotë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi. /Telegrafi/